NGA MEDIAT NORVEGJEZE
Celina, definitivisht JO Norvegjisë
4 February, 2016 @15:57
Edhe pse luajti disa ndeshje për reprezentacionin e Kosovës, Bersant Celina, futbollist i Manchester Cityt shihej si mundësi ende për përfaqësuesen norvegjeze.
Mirëpo, një - jo - të madhe definitive u ka dhënë babai i lojtarit, Edvar Celina, i cili në një intervistë për faqen VG u ka bërë të ditur këtë.
“Jo ai nuk do të jetë pjesë e Norvegjisë. Ju e keni nënçmuar atë, ndërsa Bersanti kërkon të luaj futboll. Nuk ka asgjë çfarë të zgjedhet më. Mjaft!” u ka thënë Edvar Celina.
Për më tepër, ai ka shtuar:
“Kosova do të jetë pjesë e UEFA-së dhe FIFA-së në maj të këtij viti, ndërsa Bersanti do të luaj në kualifikime për Botërorin 2018 për Kosovën dhe nuk do të qëndrojë më rezervë në U-21 të Norvegjisë,” ka shtuar babai i lojtarit më tej.
VG ka pyetur edhe ndihmësin me përvojë të përfaqësueses së Kosovës, që punon si staf teknik, Tord Grip.
“Do t’ju them qartë dhe thjeshtë që ai do të luaj për Kosovën. Ai ka luajtur shumë mirë ndaj Shqipërisë në ndeshjen e fundit për Kosovën dhe ai mund të luaj në disa pozita sulmuese, si në të dy krahët ashtu edhe prapa sulmuesit kryesor,” ka thënë Grip, që punon si staf teknik i përfaqësueses së Kosovës.
“Ai ka teknikë të mirë, shpejtësi, shut të mirë me të dyja këmbët,” ka shtuar ndër të tjera Grip.
Së fundi, Bersant Celina, ka qenë pjesë e ekipit të Manchester Cityt në përballje ndaj Sunderlandit si rezervë në Premier Ligë. Ai ende nuk ka debutuar në Premier Ligë, mirëpo ka luajtur disa herë në ndeshjet e Kupës. Bersanti nëse vazhdon me Cityn edhe këtë verë do të mund të punojë me trajnerin e shumëvlerësuar, Pep Guardiola, që do të merr drejtimin e Cityt nga korriku 2016.