BASKETBOLLISTI I KOSOVËS
Doellman kthehet nga lëndimi
Teskti: FBK
24 November, 2016 @11:21
Basketbollisti i Përfaqësueses së Kosovës, amerikani Justin Doellman, është rikthyer nga lëndimi pas një mungese prej një muaji në parketet evropiane. Doellman e pati lënduar nyjën e këmbës në përballjen e Barcelonës me Fenerbahçen në kuadër të Euroleague, duel të cilin katalunasit e kanë humbur me rezultat 73-72.
Rikthimin e tij në parket e ka konfirmuar sot klubi i Barcelonës nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ku ka bërë të ditur se Doellman ka udhëtuar me skuadrën për në Stamboll, kur të premten do të ballafaqohen me Galatasarayin në kuadër të xhiros së radhës të Euroleague-s.
Ishte paraparë që Doellman të kthehej në parket më herët, por natyra e lëndimit ishte më e rëndë sesa ishte parashikuar në fillim, andaj edhe stafi mjekësor i Barcelonës i kishte sygjeruar trajnerit Georgios Bartzokas që të mos llogaritë në shërbimet e amerikanit deri në rikuperimin e tij të plotë.