EKSKLUZIVE: ARBEN FETAHU
Drejt ligës mbarëkombëtare
Intervistoi: G. Polloshka
9 May, 2020 @15:35
Prej kohërave kur basketbolli i Kosovës luhej në shkolla të mesme, aq sa lejonte okupatori, në investime marramendëse të pasluftës kur secili ekip e fitonte secilin dhe kishte yje të njohura ndërkombëtarisht në ligë, në një rrugëtim të qetë të doniminit të Prishtinës së Arben Krasniqit e deri te hapja e derës nga BIBL e pastaj edhe nga FIBA, tash Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Basketbollit (FSHB) po shikon mundësinë për të krijuar ligën e përbashkët.
Plani doli në pah gjatë pandemisë coronavirus që kaploi krejt botën. Për Superligën e Kosovës, që ndoshta po përjetonte vitin më interesant sportiv në dekadën e fundit, u mor vendim që të ndërpritet sezoni, të anulohet dhe të mos ketë kampion të shpallur në sezonin 2019/20. Para kësaj, klube që veçse kishin informata për anulim të stinorit, kishin nisur lirimin e lojtarëve të huaj - që zakonisht janë baza e shumicës së ekipeve në Kosovë.
E tash shpejt, ideja për krijimin e ligës së përbashkët të basketbollit po has kreysisht në komente pozitive. Ende është faza kur gjërat po vihen në letër, ndërsa për dritën e gjelbër thuhet se nuk do të ketë problem nga FIBA.
Në ndërkohë, i zënë me takime të shumta herë video e herë të drejtpërdrejta, kreu aktual i FBK-së Arben Fetahu gjeti kohë për t’iu përgjigjur pyetjeve të TopSportit për të kuptuar më shumë lidhur me ligën që herë po quhet mbarëkombëtare, herë liga shqiptare.
- A është plotësisht zyrtare që po formohet liga?
”Është shumë e vërtetë se ka muaj që kemi filluar punën në përpunimin e idesë së kahmotshme për krijimin e një lige të përbashkët mes Kosovës dhe Shqipërisë, por të hapur edhe për pjesëmarrje për klubet nga Maqedonia Veriore e pse jo edhe nga Mali i Zi nëse për këtë ka interesim,” është përgjigjur fillimisht Fetahu.
- Plani si po shkon?
“Ajo që po ndodhë për momentin është që po strukturojmë idetë tona për krijimin e kësaj lige dhe po punohet në kalendarin e mundshëm të garave. Shpresoj që një marrëveshje lidhur me këtë ta kemi të arritur mes FBK dhe FSHB deri në fund të muajit maj, duke qenë se planifikojmë që ligën ta fillojmë nga fillimi i stinorit garues 2020-2021. Një gjë është e sigurt, që për të siguruar cilësi, konkurrueshmëri dhe interes, kjo ligë e përbashkët duhet të grumbullojë ekipet më të mira nga Kosova dhe Shqipëria dhe duhet zhvilluar krahas ligave tona kombëtare. Për FBK-në, Superliga, e cila ka shënuar ngritje të madhe në kuptim të interesimit të publikut, mbulueshmërisë mediatike e interesit për ta përkrahur vitin e fundit, është prioritet dhe duhet të zhvillohet nën të njëjtat kritere edhe në të ardhmen. Kjo ligë mbarëkombëtare, e ndoshta edhe rajonale, duhet të zhvillohet nën ombrellën e federatave pjesëmarrëse, duhet të ketë fond të mirëfilltë të shpërblimeve dhe të ketë ndjekje mediatike të duhur, për të qenë e suksesshme,” bën të ditur njëshi i FBK-së.
- Po kalojmë te lloji i garave, si po e planifikoni? Në formë lige apo në format tjetër sikurse kupat, me më pak ndeshje?
”Është ligë e cila duhet zhvilluar krahas ligave tona kombëtare, në fundjava apo mes të javës, varësisht prej asaj se si e organizojmë kalendarin e garave. Unë besoj që së paku stinorin e parë të garimit nuk do të ketë kurrfarë konflikti mes garës sonë mbarëkombëtare dhe garave evropiane sepse sipas informatave që kam nga klubet tona ka fare pak ose aspak interesim për të marrë pjesë në gara evropiane në kushte të kësaj situate të krijuar nga pandemia,” ka thënë Fetahu.
- Pra sipas kësaj, kalendari i garave nuk do të jetë problem me garat tjera ku marrin pjesë ekipet e Kosovës si BIBL, FIBA Europe Cup, etj.
“Nga stinori i ardhshëm pjesëmarrja në gara evropiane do të jetë edhe më i kushtueshëm andaj mbes i bindur se së paku për stinorin e parë të garës nuk do ta kemi këtë problem. Në kuptim të garave tjera rajonale, krijimi i ligës së përbashkët nuk do të kishte kuptim po të ishte e mundshme pjesëmarrja jonë në ABA Ligë, por duke qenë se kjo nuk është dhe nuk do jetë e mundshme për ekipet nga Kosova së paku deri në arritjen e një marrëveshjeje politike mes Kosovës dhe Serbisë, si federata kemi menduar se është e domosdoshme që të krijohet një ligë serioze mbarëkombëtare e menaxhuar nga organet e emëruara nga federatat, e jo që ekipet nga Kosova dhe Shqipëria të mbajnë barrën më të rëndë të ligave tjera të cilat kanë humbur edhe interesimin edhe seriozitetin,” ka shtuar ai.
- A do të duhet të paguajnë ekipet për pjesëmarrje në këtë ligë, apo do të shkojnë ekipet më të mira sipas renditjes në klasifikim të skuadrave?
“Ideja është që pjesëmarrëse në ligën e përbashkët të jenë ekipet më të mira të ranguara në të dyja superligat, me mundësinë e përjashtimit të ekipeve të cilat potencialisht mund të marrin pjesë në garat evropiane në stinorët që vijnë. Në rast se do të kemi ekipe të tilla, ne duhet të mendojmë për kyçjen e tyre në fazat e mëvonshme të garës, sepse edhe atyre duhet t’u jepet mundësia e garimit për titullin e kampionit mbarëkombëtar si titull i cili shpresojmë se do të bartë peshë të caktuar sportive dhe shpërblim të konsiderueshëm financiar,” ka theksuar Fetahu.
- E kryetari i ligës së përbashkët, kush do të jetë?
“Në fakt, më me rëndësi për një ligë është se kush do ta udhëheqë punën e zyrës ekzekutive dhe kush do jetë drejtues dhe menaxhues i garave, se sa kush do jetë kryetar i saj. Ne në FBK jemi duke e përfunduar planin e strukturës së zyrës drejtuese dhe duke krijuar planin financiar për menaxhimin dhe administrimin e tërë ligës, përfshirë drejtorin dhe komesarin ose komisionin e garave, ndërsa pozita e kryetarit si pozitë ndoshta më shumë protokolare për momentin është e rëndësisë dytësore. Një nga idetë ka qenë që kjo pozitë të mbahet me rotacion nga kryetarët e federatave pjesëmarrëse dhe unë e përkrah këtë ide,” ka thënë në fund Fetahu.
Kreu i FBK-së gjithashtu ka treguar se në sezonin e parë 2020/21 mbështet idenë të dyja ligat të kenë si pjesëmarrëse ekipet më të mira, pra katër të parat nga Kosova dhe katër të parat nga Shqipëria, ndërsa nëse ndonjëra prej skuadrave s’do të merr pjesë, atëherë vjen skuadra e radhës sipas klasifikimit në ligën përkatëse. Por kjo gjë ende nuk është përfundimtare, është vetëm ide mbi të cilën po punohet në ndërkohë.