PLAY-OFF GAME 4

BOROZANI/D.S.
Dueli i katërt, Peja do finalen
28 April, 2015 @8:23
Peja është vetëm një hap larg finales së Play-Offit të Superligës. Ekipi i drejtuar nga Boris Kurtovic është në epërsi 2-1 ndaj Bashkimit të Prizrenit dhe me fitore eventuale sonte pritet që të bëhet emri i parë i finales së madhe në basketbollin vendor.
Peja nisi mirë serinë duke shënuar fitore në Karagaç 109-81 (1-0). Seria u bart sipas rregullave të reja në Sezai Surroi të Prizrenit. Bashkimi përkundër se ishte i hendikepuar pa tre lojtarë, befasoi duke shënuar fitore 85-80 për të barazuar serinë në 1-1.
Kjo bëri që verdhezinjtë të dalin të motivuar maksimalisht në ndeshjen e tretë të serisë në Sezai Surroi për të shkatërruar tërësisht prizrenasit si me lojë ashtu edhe me rezultat, 58-94, (2-1 për Pejën).
Sonte para tifozëve të vetë ekipi pejan do të kërkojë të shkruajë emrin në finalen e radhës së Superligës dhe të luftojë për titull, që e humbi stinorin e kaluar në finale nga Prishtina.
Bashkimi, sipas kapaciteteve që i ka, do të mundohet të bëj diçka, por është vështirë e besueshme se mund të ndodh edhe njëherë befasia.
Peja ka fituar 4 ndeshjet e zhvilluara ndaj Bashkimit në stinorin e rregullt, ndërsa në total deri më sot janë zhvilluar 7 ndeshje prej të cilave 6 i ka fituar Peja e një Bashkimi.
Derisa Alban Veseli dhe Drilon Hajrizi po tregohen liderë të Pejës në këto ndeshje, te Bashkimi ndër më të dalluarit kanë qenë Kreshnik Juniku e Mujo Tuljkovic.
Seria e ndeshjeve gjysmëfinale luhet në formatin 1-2-2, derisa një ekip t’i arrijë tre fitore, me epërsi terreni ekipi më i mirë i plasuar në stinor të rregullt.
Fitorja e Pejës sonte, do të përfundojë serinë me rezultat 3-1 dhe do të nis të mendojë për finale, ndërsa në rast se fiton Bashkimi seria barazohet në 2-2 dhe ndeshja përcaktuese luhet përsëri në Karagaç.
FAKTE:
Peja ka fituar Kupën e Kosovës këtë stinor. | Bashkimi nuk ka arritur të kualifikohet në Final Four të Kupës së Kosovës këtë stinor. | Peja ka shënuar 4 fitore në stinorin e rregullt në katër ndeshje ndaj Bashkimit. | Peja ka përfunduar stinorin në vend të dytë të klasifikimit, derisa Bashkimi në vend të tretë. |