NESËR

BOROZANI/D.S.
Nata e titullit
28 April, 2015 @7:49
Ekipi prishtinas u nis për në Samokov mbrëmë vonë. Bardhekaltërit të përgatitur maksimalisht dhe pa mungesa në formacion, kanë marrë rrugë për ndeshjen e dytë finale dhe vendimtare të Balkan League, ku fituesi do të ngris trofeun e më të mirit në këtë ligë.
Epërsia dy pikëshe nga ndeshja e parë nuk do të thotë asgjë për Prishtinën dhe ata duhet të kërkojnë fitoren edhe nesër. Prishtina deri më tani ka mposhtur 3 herë këtë stinor Rilskin, mirëpo një disfatë me mbi 2 pikë epërsi mund t’i lë ata pa trofe, por jo edhe pa suksesin historik.
Sigal Prishtina është ekipi i parë kosovar që ka arritur Final Fourin e BIBL në stinorin e kaluar, ndërsa këtë stinor shkruajti historinë përsëri duke u bërë ekipi i parë shqiptar që arrin finalen e një gare ndërkombëtare në basketboll.
“Duam që këtë stinor të ligës ballkanike ta përfundojmë me sukses në Samokov,” ka thënë Marjan Ilievski, trajner i bardhekaltërve për mediat vendore.
Rrugëtimi i Prishtinës për të arritur finalen e BIBL këtë stinor ka qenë i gjatë dhe me shumë peripeci, që bardhekaltërit i përballuan me sukses.
Ata përfunduan në vend të katërt të Grupit A me 12 pikë të fituara, sa edhe ekipet në vend të dytë dhe të tretë.
Më pas u bartën sipas sistemit të garave në Grupin D, ku u ndeshën edhe me rivalin e sontëm dhe morrën ecurinë perfekte për të arritur çerekfinalen e garës.
Në çerekfinale mposhtën ekipin e Craiovas brenda dhe jashtë për të arritur gjysmëfinalen ndaj kundërshtarit më stabil të stinorit, Kozuv.
Vrullshëm kaluan Kozuvin me performancë fantastike në ndeshje të parë, derisa në ndeshjen e dytë mbrojtjën rezultatin.
Pjesa e parë finale u fitua shumë vështirë në Prishtinë. Por me pak më shumë dëshirë, besim dhe vullnet… Prishtina do të mund të sjellë në Kosovë trofeun e parë ndërkombëtar në basketboll.
Sukese Prishtinë!
Video
Ndeshja e parë finale, Sigal Prishtina - Rilski Sportist