PËRFAQËSUESJA
Fanellat e reja, e verdha zëvendësohet me ari
17 September, 2016 @13:43
Kompania e veshmbathjeve sportive, Kelme, do të vazhdojë bashkëpunimin me Federatën e Futbollit të Kosovës në kualifikimet për Kampionatin Botëror.
Në ndeshjen e parë historike të kualifikimeve kundër Finlandës, fanellat e Kosovës ishin furnizuar nga kjo kompani, ndërsa ishte thënë se marrëveshja ishte e përkohshme dhe vetëm për atë ndeshje.
Mirëpo gjërat ndryshuan dhe tashmë palët kanë arritur marrëveshje për vazhdim të bashkëpunimit, ndërsa shumë shpejt pritet të publikohen fanellat me dizajnin e ri, bën të ditur sekretari i FFK-së, Eroll Salihu.
“Jemi duke punuar në dizajn të ri për ta pasur unik. Jemi të kënaqur që kemi gjetur gjuhë të përbashkët për të bashkëpunuar me këtë kompani. Edhe material do të jetë më kualitativ. Do të jenë fanella me ngjyrë të kaltër, bardhë dhe ngjyrë ari. ‘Kelme’ është kompani e njohur, edhe Real Madridin në të kaluarën e ka furnizuar,” ka thënë Eroll Salihu për gazetën Koha Ditore.
Kosova ndeshjen e radhës do ta luajë kundër Kroacisë më 8 tetor, ku edhe pritet të paraqitet për herë të parë me fanellat e reja.