Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

FUTSALL

FC Prishtina fiton për herë të dytë turneun “Adem Jashari”

FC Prishtina fiton për herë të dytë turneun “Adem Jashari”


Teksti: FFK

5 March, 2021 @20:53

FC Prishtina e ka fituar për herë të dytë trofeun e turneut tradicional në futsall “Adem Jashari”. Në ndeshjen finale të edicionit të 12-të të këtij turneu, që u mbajt në kryeqytet nën organizim të Federatës së Futbollit të Kosovës,

FC Prishtina e mundi rivalin lokal, FC Prishtina 01, me rezultat të ngushtë 1:0.

Të pranishëm në finale krahas presidentit Agim Ademi, sekretarit të përgjithshëm Eroll Salihu dhe punëtorëve të ndryshëm sportiv ishte edhe kryetari i KK të Skenderajt, Bekim Jashari dhe familjarë tjerë të familjes së Komandantit Legjendar.

Ndeshja finale u përshkua me lojë shumë të fortë dhe rivalitet të skajshëm, e ku fituesin e përcaktoi goli i shënuar nga Jeton Rukovci në minutën e 14-të. Në pjesën e parë FC Prishtina pati mundësi për ta dyfishuar epërsinë, por gjuajtjen e Leonardo Monteiros e priti portieri Cristiano Da Silva.

Në pjesën e dytë lojtarët e Prishtinës 01 bën trysni të vazhdueshme drejt portës rivale në përpjekje për të barazuar shifrat, por hasën në mbrojtje shumë të organizuar të FC Prishtinës dhe kësisoj ndeshja u mbyll 1:0.

Në ceremoninë e shpërndarjes së çmimeve fillimisht presidenti Ademi ndau mirënjohje për Familjen Jashari, të cilën e pranoi Igball Jashari, një prej talenteve më të mëdhenj të futbollit kosovar.

Ndërkaq, medaljet për ekipin fitues dhe trofeun për kapitenin e FC Prishtinës, Jeton Rukovci e ndanë bashkërisht presidenti Ademi, nipi i Komandatit Legjendar, Fazli Jashari dhe kryetari i Komisionit të Futsallit, Haki Xhemajli.

Pas këtij turneu kapiteni dhe golashënuesi i FC Prishtinës, Jeton Rukovci u shpreh: “Jemi të lumtur për fitimin e këtij trofeu prestigjioz. Vetë emri i këtij turneu është domethënës dhe motivues, ngase bëhet fjalë për Komandatin Legjendar, i cili u flijua së bashku me familjen e tij për lirinë tonë. Kishim dy ndeshje shumë të forta në këtë turne, të cilat na ndihmuan shumë para fillimit të kampionatit dhe para ndeshjes shumë të rëndësishme gjysmëfinale të Kupës kundër Liqenit. Djemtë dhanë maksimumin dhe në përgjithësi u zhvillua një lojë shumë e fortë dhe e pëlqyeshme”.


 
Të gjitha lajmet nga Futsall Superliga