LIPJANI 68-85 TREPÇA
Fitorja e tretë në katër ndeshjet e fundit për Trepçën
8 March, 2020 @21:20
Pa shumë telashe, Trepça ka kaluar edhe ekipin e renditur në fund të klasifikimit të Superligës, Lipjanin, duke shënuar kështu fitoren e tretë në katër ndeshjet e fundit të elitës - për të vazhduar formën e mirë që ka kapur ekipi nën drejtimin e trajnerit kroat Neven Plantak.
Mitrovicasit në çdo çerek kanë mbajtur vazhdimësinë edhe të lojës edhe të pikëve të shënuara duke shënuar 20+ prej të parit deri në të fundit për të arritur te fitorja 68-85 [14-23, 18-21, 9-21 dhe 27-20].
DJ Hanes ka qenë më efikasi dhe më i dobishmi për ekipin e tij sonte. Ai ka shënuar 23 pikë, 5 kërcime dhe 4 asistime, ndërsa ka pasur edhe 4 topa të rrëmbyer në fitoren e Trepçës.
22 pikë tjera për minatorët i shënoi Alex Mpoyo, derisa 11 i dha Alante Fenner e 10 të tjera Cedric Council.
Lipjani që edhe pas kësaj ndeshjeje mbeti me vetëm dy fitore dhe tashmë dalëngadalë po vulos fatin drejt Ligës së Parë, nuk i ka bërë ballë shumë mysafirëve.
Tamas Bruce që luajti pa pushim për ekipin ka qenë edhe më efikasi edhe më i dobishmi për lipjanasit, duke shënuar 29 pikë e 8 kërcime, derisa ka kryer ndeshjen me indeks të vlefshmërisë, 29.
Fitorja bën Trepçën të pushojë qetë në xhiron e radhës, derisa ka bilans 7-17, ndërsa Lipjani do të duhet të kërkojë pikë e befasi ndaj Bashkimit, të cilët i kishte befasuar edhe në Sezai Surroi duke shënuar fitoren e parë të stinorit.