POSTIMI I PRISHTINËS
Fituesja e Kupës e gatshme për rikthim, drejt finales
23 February, 2021 @23:32
Përmes një postimi të sotëm në Facebook, ekipi i fundit kampion i Kosovës në basketboll dhe fituesja e re e Kupës së Kosovës, Prishtina, ka bërë të ditur që është e gatshme për vazhdimin e kampionatit.
Pas një pauze për shkak të Kupës së Kosovës, që e fitoi dhe pushimit të ekipeve për shkak të ndeshjeve parakualifikuese të Kosovës, kampionati do të vazhdojë nesër.
“Pas fitores së madhe në Kupë dhe një pauze gati tri-javore ekipit i janë bashkuar të gjithë lojtarët në stërvitje. Nesër zhvillohet ndeshja e radhës në Superligë ndaj Vëllaznimit dhe njëkohësisht rrugëtimi për finale e sukseset e radhës,” ka shkruar klubi bardhekaltër në Facebook.
Sigal Prishtina këtë stinor ka pasur startin më të dobët në histori të Superligës, derisa aktualisht me ardhjen e përforcimeve amerikane është këndellur dhe ka filluar t’i kthehet fitoreve.
Bardhekaltërit pas 19 xhirove të zhvilluara në Superligë kanë bilans 6-13 dhe janë në pjesë të poshtme të tabelës.