BASKET TECH
Super teknologji në palestra të Kosovës, FBK arrin marrëveshjen
Teksti: FBK
23 February, 2021 @11:49
Synergy Sports ka lidhur partneritet shumëvjeçar me Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK) për të transformuar palestrat e basketbollit në Kosovë në “Palestra të Lidhura me FIBA-n”.
Partneriteti do t’i sigurojë Federatës së Basketbollit të Kosovës zgjidhje të përparuara dhe të automatizuara për të xhiruar dhe prodhuar transmetime të drejtpërdrejta me cilësi të lartë për garat e basketbollit në të dyja konkurrencat, meshkujve dhe femrave. Synergy Sports gjithashtu do të bëhet partner ekskluziv i shpërndarjes për komercializimin të të drejtave të drejtpërdrejta për basketbollin kosovar.
Kompeticioni i sapoformuar me marrëveshjen e dy Federatave të Basketbollit Shqipëri-Kosovë, Liga Unike (në të cilën do të marrin pjesë skuadrat më të mira të të dyja vendeve) e cila pritet të nxis interes të madh në të gjithë rajonin, gjithashtu do të përfshihet në këtë marrëveshje.
Duke diskutuar për partneritetin, CEO i “Synergy Sports”, Mark Silver tha: “Synergy Sports” është krenar për bashkëpunimin me Federatën e Basketbollit të Kosovës pasi që Kosova gjendet në njërin nga rajonet me histori të pasur të basketbollit botëror dhe “Palestra e Lidhur me FIBA” do të ndihmojë që basketbolli kosovar të jetë në pikën më të lartë për sa i përket aftësive teknike kur bëhet fjalë për prodhimin dhe shpërndarjen masive të transmetimeve të drejtpërdrejta”.
Drejtori i Partneritetit Sportiv të “Synergy Sports”, Alistair Kemp shtoi se: “Ky është një angazhim fantastik nga ana e Federatës së Basketbollit të Kosovës për prezantimin e zgjidhjeve inovative dhe për të përmirësuar shtrirjen dhe shikueshmërinë e lojërave me anë të pajisjeve të vendosura dhe për t’i transformuar palestrat sportive në “Palestra të Lidhura me FIBA” në Kosovë. Nga ky partneritet do të përfitojë i gjithë komuniteti i basketbollit kosovar nga ekipet elitare, lojtarët, trajnerët, deri te tifozët, të rinjtë dhe të gjitha nivelet bazë të lojës së basketbollit. ”
Në anën tjetër, Kryetar i Federatës së Basketbollit të Kosovës, z.Arben Fetahu potencoi se: “Federata e Basketbollit e Kosovës gjithmonë pret partneritete të reja dhe zgjidhje inovative për basketbollin tonë. Duke e ditur që projekti “Palestrat e Lidhura me FIBA” përfaqëson një pikë referimi të ri për palestrat e basketbollit në të gjithë botën, Federatës së Basketbollit të Kosovës i jep gëzim dhe kënaqësi të madhe që të jemi në gjendje të instalojmë dhe shfrytëzojmë zgjidhjet “hardwerike” dhe “softuerike” të “Synergy Sports” në tetë palestrat në të gjithë Kosovën. Kjo si pjesë e angazhimit tonë të përgjithshëm për të patur një shikueshmëri më të madhe për të gjitha garat tona të basketbollit, si dhe mjete më të mira për edukimin dhe avancim e trajnerëve dhe gjyqtarëve tanë”.
Prodhimi i automatizuar i videos me integrimin e tabelës, sistemi i rishikimit të gjyqtarëve, shërbimet e zhvillimit të trajnerëve dhe lojtarëve dhe integrimi i automatizuar i videove grafike, janë pjesë e marrëveshjes shumëvjeçare dhe përbëjnë një investim të rëndësishëm në basketbollin e Kosovës nga një partner i besuar dhe me reputacion në basketbollin botëror siç është “Synergy Sports”. E përfunduar gjatë kohërave të vështira të një pandemie globale, kjo është një marrëveshje partneriteti me një komponent të fortë bashkëpunimi që ka rëndësi të madhe strategjike për zhvillimin e basketbollit të Kosovës në të gjitha nivelet”.