U KTHEHEN FITOREVE
Gasol e Marshall ringjallin Lakersin
4 January, 2014 @10:10
Los Angeles Lakers ka arritur të shënojë fitore pas gjashtë humbjeve me radhë. Qendra spanjolle Pau Gasol për pak realizoi triple-double në ndeshjen ku shkëlqeu për t’i mposhtur xhezerët e Utahsë.
Gasol luajti me 23 pikë, 17 kërcime dhe 8 asistime, duke i ndihmuar Lakersit në fitoren e parë pas tre ndeshjeve me humbje në shtëpi.
Kendall Marshall, që filloi për herë të parë në pesëshen e parë për shkak të lëndimeve të Jordan Farmar dhe Xavier Henry, ka shënuar 20 pikë dhe 15 asistime - të dyja këto shifra më të larta në karrierën e tij.
“Ai me të vërtetë bën zgjidhje të mira në fushë,” ka thënë Gasol për bashkëlojtarin e tij Marshall pas ndeshjes.
Los Angeles Lakers me fitoren ndaj Utah Jazz ka arritur që ti ikë rrezikut për rekordin e keq prej 7 humbjeve me radhë të cilin e kanë regjistruar në mars të vitit 2007.
E sa për statistikë, Marshall është bërë lojtari i parë i Lakers që ka arritur të shënojë së paku 20 pikë e 15 asistime që prej vitit 2002, kur KObe Bryant pat shënuar 23 pikë e 15 asistime.
Te humbësit është dalluar Enes Kanter me double-double prej 16 pikësh e 10 kërcimeve.
Lakers ka tani bilanc prej 14 fitoreve e 19 humbjeve, derisa Jazz mbetet ndër më të dobtit në Konferencën Perëndimore me 11 fitore e 25 humbje deri më tani.