KLAUS GJASULA
Gjasula: Do ta jap maksimumin edhe pse nuk jam gati 100%
23 March, 2021 @17:32
Mesfushori i Shqipërisë, Klaus Gjasula, mori pjesë në konferencën e sotme për shtyp të kombëtares shqiptare, ku foli për gjendjen e ekipit, ndeshjen e radhës me Andorrën dhe gjendjen aktuale fizike që po kalon.
Gjasula fillimisht tha se ekipi nuk ka pësuar shumë ndryshime në krahasim me grumbullimet e kaluara dhe këtë e vlerëson si përparësi pasi në paraqitjet e fundit është treguar lojë e nivelit të lartë nga kuqezinjtë.
“Ndryshimi i vetëm kësaj radhe është fakti që u takuam në Barcelonë dhe jo në Shqipëri. Përgjithesisht jemi të gjithë lojtarët që kemi qenë më parë, një ose dy lojtarë janë të rinj por fryma është shumë e mirë dhe për mua nuk ka ndryshuar shumë. Besoj që ne me paraqitjet e fundit kemi treguar që i kemi të gjitha mundesitë për të fituar këtë ndeshje dhe të hymë më këmbë të mbarë në kualifikim. Do kishte qenë ndryshe të luanim ndeshjen e parë me Anglinë pasi është pak më e vështirë, por si tha dhe Elsi nëse jemi të përqëndruar dhe gati nga ana mendore, besoj se do ta fitojmë këtë ndeshje dhe të hymë në kualifikim”, tha ai.
Futbollisti 31 vjeçar i Hamburgut i pati munguar skuadrës gjermane për më shumë se dy muaj gjatë periudhës janar-mars të këtij viti, për shkak të lëndimit në ligamentet e gjurit.
Ai u rikthye nga lëndimi kohë më parë, kur në ndeshjen ndaj Bochumit në Bundesligë më 12 mars, u paraqit për vetëm 1 minutë në fushë, ndërsa kjo i ka mjaftuar përzgjedhësit Edy Reja që ta fus mesfushorin në listë.
Lidhur me gjendjen e tij fizike, Gjasula pranoi se nuk është ende plotësisht i gatshëm, por pavarësisht kësaj do të jetë i gatshëm që të jap maksimumin e tij në fushë.
“Për sa i përket gjendjes fizike nuk jam në 100% tim pasi nuk kam shumë kohë që të stërvitem por prapë ndihem mirë dhe gati për të ndihmuar, do marr aq sa do më japë trajneri dhe do jap maksimumin për skuadrën.”
Për fund, Gjasula foli për ndeshjen ndaj Andorrës, e cila është ndeshja e parë për Shqipërinë në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror, derisa për ndeshjet e mëpasshme ndaj Anglisë dhe San Marinos tha se duhet të diskutohet më pas.
“Të them te drejtën unë personalisht nuk e kam menduar pasi janë tre ndeshje. Do fillojmë me Andorra-n që është ndeshja e parë dhe personalisht nuk dua të flas as për Anglinë dhe as për San Marinon pasi kemi një detyrë: të fitojmë ndeshjen e parë, të fillojmë mirë këtë kualifikim dhe pas kësaj mund të flasim për ndeshjet e tjera. Unë mendoj që e kemi bërë njëherë me Andorra-n këtë gabim, dhe besoj se këtë radhe do jetë ndryshe, do jemi më të përqëndruar dhe nuk do ta marrim si një ndeshje të lehtë. Është një kundërshtar i fortë që na ka marrë një pikë në Shqipëri dhe tani na takon neve të marrim këtu tre pikë”, përfundoi ai.
Shqipëria do të luajë kundër Andorrës më 25 mars, ndërsa më pas për kundërshtar do ta ketë Anglinë (28 mars) dhe San Marinon (31 mars).