TRAJNERI I RILSKIT

Gjithçka vendoset në Pejë
30 March, 2015 @20:03
Faza gjysmëfinale e Ligës Ballkanike do të fillojë nesër me ndeshjen ndërmjet Rilskit dhe Pejës.
Skuadra e Rilskit këtë ndeshje do ta zhvillojë në kryeqytetit e Bullgarisë, Sofje, pasi që palestra e tyre ku i luajnë ndeshjet si vendas në Samokov është e zënë.
Në deklaratën e tij para ndeshjes, trajneri i Rilskit, Rosen Barchovski, tha se disa nga lojtarët e skuadrës e kanë të dyshimtë paraqitjen e tyre për shkak të problemeve shëndetësore.
“Kemi disa probleme sepse Rakocevic është sëmurë pas ndeshjes në Kumanovë dhe nuk ka stërvitur akoma. Shpresoj sot ta ketë stërvitjen e parë. Taylor gjithashtu ka probleme me gjurin e tij. Këta dy lojtarë kanë shumë rëndësi dhe unë nuk e di nëse ata do të mund të luajnë. Sidoqoftë po përgatitemi shumë seriozisht për këtë ndeshje, nuk ka asgjë më të rëndësishme se kjo ndeshje.”
Skuadra e Rilskit gjatë pjesës së rregullt të kampionatit është takuar dy herë me Pejën dhe në të dyja ndeshjet ka shënuar fitore. Megjithatë ky fakt nuk është shumë i rëndësishëm për trajnerin Barchovski, i cili beson se finalisti do të përcaktohet në Pejë.
“Nuk mendoj se fakti që ne i kemi mposhtur dy herë do jetë ndonjë avantazh për ne. Kumanova na kishte mposhtur neve dy herë por ne i eliminuam ata. Peja ka ndërruar ekip. Tradicionalisht ekipet nga Kosova janë të forta dhe kanë lojtarë shumë të mirë në dispozicion. Nuk mendoj që dy ndeshjet e para do të kenë ndonje kuptim. Sigurisht që do të luajmë për të fituar dhe sigurisht që nëse do të fitojmë me epërsi më të madhe do të jetë më mirë. Kjo është logjika në këto gara por jo çdo herë funksionon. Ne kemi luajtur suksesshëm atje dhe kjo më jep shpresa. Nesër do jetë vetëm pjesa e parë dhe ne do të tentojmë të marrim maksimumin nga ajo. Do të jetë poashtu edhe ndeshja e dytë dhe nuk mendoj se nesër do të vendoset çdo gjë. Gjithçka do të vendoset në Pejë.”