1-1

Foto: SBNation
Grizzlies barazon serinë
6 May, 2015 @8:46
Arshuat e Memphisit kanë arritur të shënojnë fitore të madhe mbrëmë duke e mposhtur Golden State Warriorsin favorit në ndeshjen e dytë të serisë gjysmëfinale të Konferencës Perëndimore.
I maskuari, Mike Conley, u kthye në parket 8 ditë pas operacionit në fytyrë për të shënuar 22 pikë, derisa Grizzlies tregoi mbrojtje të fortë për të ndalur Luftëtarët dhe fituar ndeshjen.
Conley shënoi katër herë radhazi në fillim të ndeshjes për t’ia ‘vjedh’ show-in MVP-së, Stephen Curry, e më pas, mbrojtja kreu punën për 97-90 përfundimtare.
Zach Randolph me 20 pikë e 7 kërcime si dhe Marc Gasol e Courtney Lee me nga 15 pikë të shënuara i ndihmuan ekipit të tyre për t’ia prishur serinë prej 21 fitoreve me radhë Golden State-it në Oracle Arena.
Përndryshe, kjo ka qenë humbja e parë e Luftëtarëve pas më shumë se tre muajve në palestrën e vetë.
19 pikët dhe 6 asistimet e Curryt nuk ndihmuan për fitore Warriorsat, derisa Draymond Green gjithashtu u dallua te humbësit me double-double prej 14 pikëve dhe 12 kërcimeve.
Seria tashmë është barazuar në 1-1, ndërsa ndeshja e tretë e serisë luhet në Memphis.
Video
Çaste nga ndeshja Golden State Warriors - Memphis Grizzlies
Mike Conley i rikthyer në ekip pas operimit, vërtetoi se sa është i nevojshëm për sulmin e ekipit të Memphis Grizzlies, që shënuan fitore të madhe në Oracle Arena.