TULIPANËT NË BOTËROR
Holanda i kthehet Botërorit, me biletën e fundit direkte nga Evropa
16 November, 2021 @22:47
Me fitore në dhjetë-minutëshin e fundit të ndeshjes Holanda ka siguruar biletën për Botërorin e Katarit, duke iu rikthyer kështu garës më të madhe të shteteve në futboll, pas mos-kualifikimit në “Rusia 2018”.
Tulipanët kanë mposhtur Norvegjinë 2-0 [Steven Bergwijn 84, Memphis Depay 90+1], që gjithashtu kishte shpresa për kualifikim deri në përballjen e fundit, të sontme, ku është dashur të fitojë - por mungesa e sulmuesit fantastik të tyre, Erling Haaland ndikoi.
Në anën tjetër, Turqia që kishte nisur perfekt Grupin G, pas një serie dështimesh dhe me emërimin e trajnerit Stefan Kuntz muajin e kaluar në detyrë, ka arritur të sigurojë vendin e dytë sonte me fitore ndaj Malit të Zi, me përmbysje 1-2 [Fatos Beciraj 3 - Kerem Akturkoglu 22, Orkun Kokçu] për të kërkuar biletën përmes PlayOffit - që luhet në mars të vitit të ardhshëm.