DRITA - PRISHTINA
Humbja e dytë me radhë për Prishtinën, Drita rikthehet te fitoret
31 October, 2024 @15:06
Fitorja e parë e Dritës pas tri xhirove ka ardhur sot në duelin e luajtur ndaj Prishtinës në Gjilan. Për Prishtinën kjo ishte humbja e dytë me radhë në ligë.
Drita skuadrën nga kryeqyteti e mposhti 3-0 (Besnik Krasniqi (P) 22’, Albert Dabiqaj 24’ 88’).
Ndaj ish-skuadrës së tij, Besnik Krasniqi shënoi për 1-0 nga pika e bardhë në minutën e 22’. e dy minuta më pas epërsinë vendase e dyfishoi mesfushori Albert Dabiqaj. Kështu, pjesa e parë u mbyll 2-0 për Dritën.
Edhe pjesa e dytë e ndeshjes kaloi me vendasit në kontrollë të saj. Dyshja Rron Broja e Albert Dabiqaj në mesfushën vendase ishin në ditën e tyre më të mirë, duke dominuar plotësisht mesin e fushës dhe duke mos lënë kryeqytetasit të rrezikonin seriozisht.
Gjithçka u vulos në minutën e 88’, kur Albert Dabiqaj shënoi për përfundimtaren 3-0. Pas dy gjuajtjeve rresht të Dritës, njëra prej të cilave përfundoi në shtyllë e tjetra u dëbua nga Ardit Nika, Albert Dabiqaj me lehtësi e çoi topin në rrjetë dhe ndeshja më nuk kishte histori.
Nëse Drita e fiton të paktën njërën nga dy ndeshjet e mbetura, do t’i prijë Superligës, e Prishtina për momentin ndodhet në vendin e pestë.