KOSOVA - GJEORGJIA
Humbje nga Gjeorgjia, Kosova e fundit në grup
12 October, 2021 @22:39
Me fitore të Gjeorgjisë është mbyllur ndeshja e sontme mes Kosovës dhe Gjeorgjisë në “Fadil Vokrri” të Prishtinës.
Ndeshja që ishte e vlefshme për grupin B kualifikues drejt Botërorit të Katarit në fund u mbyll 1-2 (V.Muriqi (P) 45’ / T.Okriashvili 11’, Z.Davitashvili 82’) për Gjeorgjinë.
Pjesa e parë e ndeshjes kaloi me Kosovën më dominuese, por që të dyja rrjetat e skuadrave u tundën nga një herë.
Të parët në epërsi kaluan gjeorgjianët, që golin e gjetën falë një gabimi të Aro Muricit në minutën e 11’. Pas gabimit të portierit të Kosovës, topin në rrjetë për mysafirët e çoi Okriashvili.
E barazimi i Kosovës erdhi në fundin e pjesës së parë, kur Vedat Muriqi shënoi nga pika e bardhë (45’) pas faullit në zonë që iu shkaktua Milot Rashicës.
GRUPET KUALIFIKUESE DHE ORARI I NDESHJEVE
Në pjesën e dytë, përkundër që Kosova ishte më shumë në kontroll të lojës dhe pati rastet e veta, golin e gjeti vetëm Gjeorgjia, gol me të cilin e arriti fitoren. Në minutën e 82’, në zonën e Kosovës u harrua i vetëm Davitashvili, i cili me kokë shënoi për 1-2, rezultatin përfundimtar të ndeshjes.
Kjo humbje e zbret Kosovën në vendin e fundit të grupit, me 4 pikë pas 7 ndeshjeve të luajtura.
Ndeshjen e fundit të këtij grupi kualifikues Kosova e zhvillon muajin e ardhshëm, më 14 nëntor si mysafire e Greqisë.