SPURS
Parker, s’lejon xhez në Texas
16 January, 2014 @9:56
San Antonio Spurs ka arritur të shënojë fitoren e radhës duke e mposhtur Utah Jazzin në AT&T Center. Fundori françez, Tony Parker, me 25 pikët e tij dhe 9 asistime ka qenë njeriu kryesor i fitores së arritur.
Ndërsa statistikat kanë treguar se nëse Spurs udhëheq pas tre çerekëve, nuk ka kush e mposht atë. Në këtë aspekt Spurs kanë bilanc 26-0.
Në përgjithësi San Antonio ka shënuar fitoren e pestë me radhë, derisa kjo është fitorja e tetë nga 9 ndeshjet e fundit për ekipin e Gregg Popovichit.
Mirëpo aspak nuk duhet lënë anash edhe luftën e pashoq të xhezerëve, të cilët në çerekun e fundit për pak sa nuk e fituan ndeshjen.
Turku Enes Kanter me double-double prej 25 pikësh e 11 kërcimeve ka qenë më efikasi te ekipi i Utahsë, derisa u përcoll edhe nga Alec Burks me 20 pikë të shënuara.
Te fituesit e San Antonios, përveç Parkerit të shkëlqyeshëm, edhe 5 basketbollistë tjerë kanë shënuar pikë dyshifrore, që tregon kompaktësinë ekipore të mamuzave të Teksasit, në mes të cilëve, Kawhi Leonard, Tim Duncan dhe Marco Belinelli me nga 15 pikë secili.
Pas kësaj fitoreje San Antonio Spurs ka bilanc prej 31 fitoreve dhe 8 humbjeve, derisa Utah ka bilanc negativ prej 13 fitoresh e 27 humbjesh deri më tani.