Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

FLET ERVIN SKELA

Ish-kapiteni: Shqipërisë i duhet Besnik Hasi, Broja diamant

Foto: Getty/ M. Ozer via GoogleImages

Ish-kapiteni: Shqipërisë i duhet Besnik Hasi, Broja diamant


20 June, 2022 @16:20

Ai u nda nga futbolli. Tash punon si trajner i ekipit të të rinjve të Eintracht Frankfurtit, ndërsa në një intervistë për Panorama Sportin ka thënë se koha është që Shqipërinë ta drejtojë një shqiptar.

Ervin Skela, 45-vjeç, është trajner i U17, ndërsa do ta drejtojë në stinorin që vjen ekipin U19 të Eintrachtit në Ligë të Kampionëve të të rinjve.

Ervin Skela
Foto: nachwuchs.eintracht.de

Ndër të tjera, Skela ka bërë të ditur se ka ardhur koha që Shqipëria të ketë një trajner shqiptar dhe aty ka përmendur Besnik Hasin.

“Nëse vendosin ta ndërrojnë trajnerin, ka ardhur koha që një shqiptar ta drejtojë kombëtaren. Besnik Hasi ka personalitetin e duhur, përvojën dhe ambicien. Ai e di çka është Shqiëpria, si mund të ndërtohen aty gjërat e mira dhe si mund të fitohet. Për mua, ai do të ishte një zgjedhje e mirë,” ka thënë ndër të tjera ish-futbollisti i kombëtares, që ka shënuar 13 gola për kuqezinjtë.

Sa i përket ekipit aktual, ai ka veçuar Armando Brojën duke thënë se është diamant i kombëtares dhe loja duhet të bazohet te ai.

“Nëse unë do të isha trajner, do të ndërtoja gjithçka rreth Brojës. Ai do të ishte pika e referimit. Do ta pyesja: si e do topin? ku e do? si të ndihmojmë? etj… Fundja, të njëjtën e ka bërë Barcelona për Messin, Polonia për Lewandowskin, por edhe Anglia për Kane-in. Futbolli është ky: nëse e ke dikë që mund ta bëj dallimin, do t’i përshtatesh që t’i ndihmosh, ashtu që ai të jep maksimumin. Më besoni, sa herë ai ka topin në këmbë, kundërshtarët futen në panik, edhe kur është jashtë zone, sepse mendojnë: “mos do të gjuajë nga largësia”, “mos do të driblojë”, “mos do të na mund në shpejtësi”...” - ka thënë ndër të tjera Skela.

Vlonjati ka qenë pjesë e kombëtares shqiptare prej vitit 2000 deri në vitin 2011 ku ka luajtur 74 ndeshje, ndërsa ka shënuar 13 gola.

Si futbollist ai kishte shkuar te Union Berlin nga Tirana në vitin 1995, ndërsa periudhën më të mirë e kaloi te Eintracht Frankfurti gjatë viteve 2001-2004 ku kishte 92 paraqitje dhe shënoi 26 gola.

 


 
Të gjitha lajmet nga FSHF Kategoria Superiore