ISTOG

Istogu emëron trajnerin e ri
11 October, 2021 @14:17
Skuadra që garon në Grupin A të Ligës së Parë të Kosovës, Istogu, pas ndarjes së rrugëve me trajnerin Nazmi Rama, ka bërë të ditur se sot ka emëruar trajnerin e ri të skuadrës.
Bekim Shotani ka marrë drejtimin e troftave, ndërsa ekipi i ka dhënë kontratë atij deri në fund të edicionit 2021/22, me kontratën që skadon më 30 qershor 2022.
Por, Shotani do të ketë mundësi vazhdimi edhe për dy sezone tjera nëse arrin objektivat e klubit nga Perëndimi i Kosovës, ka bërë të ditur njoftimi i skuadrës.
“Bekim Shotani nënshkroi sot kontratë me Istogun e cila është e vlefshme deri me 30 qershor 2022, por me mundësi vazhdimi edhe për dy vite tjera. Trajneri Shotani besoi në projektin e klubit tonë dhe shpresojmë që së bashku në tri vitet e ardhshme me punë të madhe ta realizojmë atë. Kryetrajneri vushtrrias Bekim Shotani do të ndihmohet nga stafi përcjellës me ndihmësit: Mehdi Arifaj dhe Hysni Kabashi,” ka shkruar njoftimi i klubit.
Trajneri 46-vjeç më parë ka drejtuar skuadrat si Ballkani, Trepça’89, Llapi, Vushtrria e Drenica. Ai që sot do të nis të punojë me lojtarët e skuadrës, ndërsa rezultatet dhe arritja e dy pozitave të para në ligë që çojnë për Superligë, pritet të jetë synim për istogasit.
Përndryshe Istogu nuk ka nisur mirë sezonin në Ligë të Parë, pasi që nga shtatë ndeshjet e para të sezonit ka regjistruar katër humbje dhe ka vetëm një fitore, për të qenë në pjesë të poshtme të tabelës. Në xhiron e radhës ata dëshirojnë t’i kthehen rezultateve pozitive në përballje ndaj Onixit.