DUKAGJINI - DRENICA

John e Shala për fitore, Dukagjini mposhtë Drenicën
11 March, 2023 @14:59
Një fitore shumë e rëndësishme e Dukagjinit në Superligë sot!
Skuadra e drejtuar nga Armend Dallku sot shënoi fitore ndaj Drenicës me rezultat 2-0 (Oto John 11’, Arbër Shala 47’), për t’u ngjitur kështu në pikë të barabarta me Prishtinën e vendit të katërt.
Oto John shënoi për 1-0 pas një pasimi fantastik nga Marclei Santos në minutën e 11’, e më pas për 2-0 shënoi mbrojtësi i majtë Arbër Shala pak pasi kishte filluar pjesa e dytë.
Mundësinë që të kthehej në lojë Drenica e kishte në minutën e 53’, por i pasaktë nga pika e bardhë u tregua Da Silva dhe kështu Dukagjini mbeti në epërsi të dyfishtë.
Sa i përket Drenicës, kjo humbje ia rrezikon asaj edhe më shumë rënien nga elita e futbollit kosovar, gjë që nuk ka ndodhur asnjëherë në futbollin e pas-luftës në Kosovë.
Në xhiron e ardhshme, Dukagjini i shkon Trepçës ‘89, kurse Drenica e pret Prishtinën.