KARAGAÇ
KB Peja, më e ngarkuara në 2021/22
18 August, 2021 @13:16
Basketbollistët e KB Peja do të kenë stinorin më të ngarkuar nga të gjitha skuadrat. Verdhezinjtë nga qyteti buzë Bjeshkëve të Nemuna përveç garave vendore në Superligë dhe Kupë të Kosovës, do të marrin pjesë edhe në Ligën Unike dhe në Ligën Ballkanike, siç është njoftuar deri tash.
Me këtë, shqiponjat do të kenë mbi 50 ndeshje të garantuara këtë stinor, duke pasur parasysh që Superliga luhet me — 28 xhiro, Liga Unike — 14 dhe BIBL — 10 të tjera.
MBI 50 NDESHJE TË GARANTUARA
Të gjitha këto ndeshje janë të stinorit të rregullt në të trija garat, pa llogaritur PlayOffin e mundshëm për Pejën si dhe garat e Superkupës, si ajo në Kosovë ashtu edhe ajo mbarëkombëtare që është paraparë nga Liga Unike.
Kështu, djelmoshat e trajnerit Semsettin Bas me në krye kapitenin legjendar të ekipit Dardan Berisha do të kenë orar të ngjeshur të garave, duke qenë se janë ekipi i vetëm nga Kosova që merr pjesë në këto dy gara tjera, pos atyre që janë nën ombrellën vetëm të FBK-së.
TË TJERAT
Sa i përket skuadrave tjera nga Kosova, asnjë tjetër s’është pjesëmarrëse si Peja edhe në Ligën Unike dhe në BIBL.
Derisa në BIBL është regjistruar vetëm Prishtina, që s’është pjesëmarrëse në Ligën Unike, te kjo e fundit do të marrin pjesë Golden Eagle Ylli, Prizreni-16 dhe Rahoveci.
Skuadrat tjera të Superligës si Bashkimi, Trepça dhe Drita (si anëtare e rikthyer) do të koncentrohen vetëm në garat vendore që i organizon FBK-ja.
Nëse nuk ndërron ndonjë rregull deri në fillime të sezoneve të garave të përmendura për shkak të situatës potenciale pandemike, për Pejën ky stinor do të jetë një luftë për secilin front ku garojnë derisa do të jenë në garë për gjashtë trofe potenicale.