ART GASHI

BOROZANI/ Lis Dorambari
Kemi fuqi për ta mposhtur Mornarin
2 March, 2015 @17:30
Skuadra e Pejës të mërkurën mbrëma do ta ketë përballjen e fundit të fazës së dytë grupore në Ligën Ballkanike, ku do të jetë mysafire e skuadrës malaziase, Mornar, ndërsa në rast të fitores së Pejës, do të sigurohet inkuadrimi i drejtpërdrejtë në Play Off.
Për këtë është i bindur edhe kryetari i klubit pejan, Art Gashi, i cili ka shprehur besimin e tij për fitore në Tivar.
“Skuadra këtë stinor ka pasur më shumë ndryshime se zakonisht. Ne kemi ndryshuar më shumë lojtarë se në të gjitha stinorët e tjerë, duke u munduar ta krijojmë ekipin më të mirë të mundshëm. Kjo ndeshje është njëra prej më të rëndësishmeve dhe unë besoj që ne kemi gjasa ta përfundojmë në krye të radhitjes tabelare,” tha Gashi për faqen zyrtare të Ligës Ballkanike.
Tutje, kryetari i verdhezinjëve ka folur edhe për dy humbjet ndaj Craiovës në këtë fazë, që i ka vëshitërësuar paksa punët drejt kualifikimit në Play Off, derisa ka treguar edhe rëndësinë e ndeshjes së fundit për Mornarin, me gjithëse kjo e fundit i ka humbur gjasat për të shkuar më tej.
“Ne kishim rast ta mposhtim Craiovën në njërën nga dy ndeshjet - njëra prej tyre ishte në shtëpi pranë tifozëve prej më të mirëve në BIBL, por ne ishim të pafat dhe nuk luajtëm mirë në atë ndeshje. Tani ne luajmë kundër një skuadre që tashmë është eliminuar nga garat dhe nuk ka asgjë për të humbur, e që kjo do t’i shtyej ata që të luajnë ndeshjen e fundit në BIBL për të lënë një shije të mirë për fund. Unë besoj se ne jemi mjaft të mirë për të shënuar fitore në Tivar dhe të kualifikohemi në gjysmëfinale.”
Dueli ndërmjet Mornarit dhe Pejës është ndeshja e fundit e grupit C, ndërsa varësisht nga rezultati i kësaj ndeshjeje, Peja mund të përfundojë në pozitën e parë (në rast të fitores) në grup, që dërgon drejtpërdrejtë në Play Off, ose do të renditet e treta (në rast të humbjes), e që më pas duhet t’i zhvillojë edhe dy ndeshje të tjera me skuadrën e pozitës së dytë në grupin D, për të shkuar deri në Play Off.
Tabela aktuale në Ligën Ballkanike.