DAMIR MULAOMEROVIC
Kemi ndryshuar filozofinë e ekipit
11 September, 2018 @22:09
Selektori i Kosovës, Damir Mulaomerovic, në konferencën e sotme për shtyp të mbajtur në zyret e FBK-së ka bërë të ditur se reprezentacioni i Kosovës ka ndërruar filozofinë e ekipit.
“Kanë mbetur vetëm edhe pak ditë deri te ndeshja kundër Maqedonisë. Unë personalisht si trajner jam shumë i lumtur që jam pjesë e këtij grupi. Ne kemi punuar shumë, skuadar e ka bërë një punë shumë të mirë, kemi stërvitur me intensitet të lartë. Ne e kemi ndryshuar paksa filozofinë e ekipit, dhe përfundimisht do të jemi gati për të enjten,” ka thënë Mulaomerovic.
Ai gjithashtu ka bërë të ditur se lojtarët kanë mirëpritur filozofinë e tij të lojës, ndërsa tash u duhet përkrahja për të arritur deri te fitorja.
“Maqedonia ka ekip shumë të mirë, ne e kemi kuptuar se së fundi e kanë angazhuar një lojtar amerikan, Richard Hendrix, por një gjë e tillë nuk i ndryshon planet tona. Lojtarët e kanë mirëpritur filozofinë time si trajner, ndërsa tani më mbetet vetëm të kërkoj nga tifozët që të vijnë në numër sa më të madh për të na përkrahur, sepse me të vërtetë këta lojtarë e meritojnë mbështetjen e të gjithëve,” ka shtuar ai.
Kosova më 13 shtator 2018 në Pallatin e Rinisë së Sporteve në Prishtinë, pret Maqedoninë në përballjen e parë të fazës së dytë kualifikuese për Eurobasket 2021.