Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

SHQIPËRI - ANGLI

Kërkesë e re nga FShF, të luhet ndeshja me shikues të vaksinuar

Kërkesë e re nga FShF, të luhet ndeshja me shikues të vaksinuar


23 March, 2021 @19:31

Kryetari i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, duket se nuk e ka ndërmend të heq dorë nga qëllimi i tij që ndeshja mes Shqipërisë dhe Anglisë të luhet në praninë e shikuesve.

Pas kërkesës për zhvillimin e kësaj ndeshjeje me 30% të shikuesve nga ana e FShF-së dhe refuzimit të Ministrisë së Shëndetësisë me arsyetim të situatës pandemike, FShF i është drejtuar kryeministrit Edi Rama me dy propozime të reja, shkruajnë mediat shqiptare.

“Duke parë që në vendin tonë shumë biznese me grumbullime masive njerëzish vazhdojnë aktivitetin normalisht, do të shpresoja shumë që ju të ndihmonit ekipin Kombëtar shqiptar dhe tifozët tanë të zjarrtë për të qenë të pranishëm në këtë ndeshje shumë të rëndësishme për rrugëtimin e Shqipërisë drejt Botërorit Katar 2022. Ne kemi një stadium modern, me standartet më të larta botërore, që na lejon të kemi minimalisht 30% të tifozëve në stadium, duke mundësuar shmangien e çdo rreziku nga virusi Covid-19. Nëse kjo prani e limituar tifozësh shikohet ende si një problem nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Komiteti Teknik i Ekspertëve, atëherë do ju propozoja që të lejohen në stadium të gjithë personat që janë vaksinuar dhe kanë përfituar nga procesi i vaksinimit masiv që ju si Qeveri po zhvilloni në mbarë trojet shqiptare”, thuhet në letrën e shkruar nga FShF.

Ndeshja mes Shqipërisë dhe Anglisë do të luhet më 28 mars në stadiumin “Air Albania” të Tiranës, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror.


 
Të gjitha lajmet nga Kualifikimet për Botëror