KUQEZI
Kombëtarja para testit
26 March, 2013 @12:28
Kombëtarja shqiptare që arriti fitore mahnitëse në Oslo ndaj Norvegjisë, sonte do të zhvillojë ndeshje miqësore ndaj Lituanisë në Tiranë.
Përzgjedhësi i kombëtares, italiani Gianni De Biasi, pritet sot të provojë për herë të parë edhe Valdet Ramën - i cili nuk arriti të jetë gati për ndeshje me Norvegjinë për shkak të problemit me pasaportë.
Përveç tjerash, kombëtarja pritet të eksperimentojë mungesat e qershorit, duke provuar lojtarë të tjerë në vend të Lorik Canës, Andi Lilës dhe Odise Roshit, të cilët do të mungojnë në ndeshjen e radhës kualifikuese ndaj Norvegjisë, që luhet në Tiranë më 7 qershor.
Në anën tjetër, lituanezët të cilët janë në grup të vështirë kualifikues dhe po ndërrojnë gjeneratë me përfaqësuese, kërkojnë kombinim dhe eksperimentim të të rinjëve ashtu që të përfundojnë sa më lartë në grup.
Te skuadra e dalur nga ish BRSS-ja, janë dy futbollistë që kanë përvojë të madhe: mbrojtësi Marius Stankevicius, që tërë karrierën e tij gati është në Serie A, si dhe Deividas Semberas, njëri ndër mesfushorët më me përvojë të CSKA Moskës, që njihet si organizator shumë i mirë i mesfushës.
MIQËSORE:
Shqipëria - Lituania | sonte, 20:00, stadiumi Qemal Stafa, Tiranë |