MEDIA NOTE
Komunikatë e FBK-së
24 June, 2018 @15:42
Pas aksidentit të së shtunës, ku humbi jetën qendra e reprezentacionit të Kosovës, Gazmend Sinani, FBK ka lëshuar komunikatë për shtyp, duke njoftuar për gjendjen e basketbollistëve tjerë.
“Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) njofton opinionin se basketbollistët Granit e Fisnik Rugova, dhe Altin Morina, si dhe fizioterapeuti Kujtim Shala janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Granit Rugova të shtunën është larguar nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës në shërim shtëpiak, derisa Fisnik Rugova dhe Kujtim Shala ndodhen ende në QKUK nën kujdesen e mjekëve, por që janë jashtë çdo rreziku për jetë.
Fisnik Rugova ndodhet në Klinikën e Kirurgjisë Maksilofaciale, ndërsa Kujtim Shala në Klinikën e Neurokirurgjisë, kurse Altin Morina sot është liruar nga Spitali i Gjakovës dhe tani ndodhet në Prizren në shërim shtëpiak.
Federata e Basketbollit të Kosovës shfrytëzon rastin të falenderoj të gjithë opinionin për qëndrimin pranë në këto momente të vështira për ne pas ngjarjes tragjike që ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të së shtunës në Gjakovë, ku basketbollisti Gazmend Sinani e ka humbur jetën në një aksident rrugor, ndërs vëllëzerit Rugova, Morina e Shala kanë pësuar lëndime trupore, por që janë jashtë rrezikut,” - ka shkruar ndër të tjera komunikata e FBK-së.
Kosova pritet të luajë më 28 qershor ndeshjen ndaj Hungarisë, ndërsa më 1 korrik ndaj Polonisë, në kuadër të kualifikimeve për Botërorin Kina 2019.