Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

KOSOVA

Konferenca e Alain Giresse para miqësoreve të marsit

Konferenca e Alain Giresse para miqësoreve të marsit


21 March, 2022 @15:47

Në fund të këtij muaji, përfaqësuesja seniore e Kosovës në futboll i zhvillon dy ndeshje miqësore, fillimisht kundër Burkina Fasos më 24 mars në Prishtinë, e më pas ndaj Zvicrës më 29 mars në Cyrih.

Për herë të parë, Kosova në këto ndeshje do të drejtohet nga Alain Giresse, përzgjedhësi francez që e mori këtë detyrë në fund të muajit të kaluar.

Sot Giresse mbajti një konferencë për shtyp, ku foli për miqësoret e radhës, synimet në Ligën e Kombeve si dhe për rikthimin e mundshëm të disa lojtarëve në përfaqësuese.

“Fillimisht, më duhet të them që ky grumbullim ka rëndësi të madhe për mua, sepse do të kem mundësi të njihem për së afërmi më lojtarët dhe do të njoftohemi së bashku edhe me mënyrën e organizimit, punës dhe se si do të funksionojmë në këto dy miqësore. Secili lojtar duhet ta tregojë veten në lidhje me objektivat që i kemi para vetes. Këto dy ndeshje do ta ndihmojnë t’i shohim të gjithë lojtarët e pastaj në Ligën e Kombeve futemi me ambicie maksimale.” - u shpreh Giresse.

Më tutje, ai shtoi:

“I kam shikuar ndeshjet e Kosovës dhe mund të them që kualitet ka, por duhet të vendoset harmoni dhe rregull në ekip, e pastaj vijnë rezultatet pozitive.

Kemi dy miqësore para vetes dhe do ta shohim ku jemi. Zvicra viteve të fundit po kalon një formë tejet të mirë dhe do të jetë një test i mirë për ne, që ta shohim vetem se ku jemi në krahasim me ekipet e mëdha.”

Sa i përket lojtarëve të larguar nga Challandes, si shembujt e Leart Paqaradës e Bernard Berishës, Giresse deklaroi:

“Derën nuk ia mbyll askujt, por gjithmonë varet nga situata. Këto janë çështje që duhet të rregullohen.Më duhet të njihem më shumë me lojtarët, por sigurisht se dera do të jetë e hapur për të gjithë.”

Më tej, ai shtoi që për shkak të lëndimit nga grumbullimi është larguar Emir Sahiti, e ai do të zëvendësohet nga ndonjë lojtar tjetër, që ende nuk është bërë i ditur.

Stërvitjen e parë me futbollistët e Kosovës Giresse do ta mbajë sot (21 mars) me fillim nga ora 18:30 në “Fadil Vokrri”.


 
Të gjitha lajmet nga Kosova