NGA FEDERATA

Kosova i beson Albert Bunjakut
4 February, 2022 @16:18
Federata e Futbollit të Kosovës ka vendosur t’ia kthejë besimin njërit ndër trajnerëve dhe punëtorëve sportiv më të devotshëm që ka pasur vendi, Albert Bunjaku.
Bunjaku, të cilit i ishte besuar posti i selektorit të parë të Kosovës me rastin e pranimit të Kosovës në UEFA e FIFA, deri vonë ka qenë i papunë, derisa rinisi angazhimin e tij në FFK.
E tash e tutje, Bunjaku do të ketë detyrë të koordinoj të gjitha kombëtaret e Kosovës, pos seniorëve, deirsa të emërohen selektorët dhe të kompletohen shtabet teknike të skuadrave pas vendimit të fundit të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së.
“KE analizoi edhe punën e Shtabeve teknike të Kombëtareve si Kombëtares“A” të femrave, U21, U19 , U17, U15 dhe U17 e U19 e femrave. Në këtë drejtim KE mori vendim që përzgjedhëses së Kombëtares “A” të femrave dhe gjithë Shtabit teknik të mos i vazhdohet kontrata-bashkëpunimi.
KE mori vendim që t’i ndërpresë kontratën përzgjedhësit Michael Ness dhe shtabit teknik të Kombëtares U21. Duhet theksuar se z. Ness edhe kontrata si drejtor teknik i ka skaduar afati,” ka shkruar njoftimi i FFK-së botuar ditë më parë në faqen zyrtare të Federatës.
Me këtë, Bunjakut i përcaktohet detyra për të marrë koordinimin e këtyre kombëtareve, derisa të emërohen përzgjedhësit përkatës.
“KE caktoi si Koordinator z. Albert Bunjaku të këtyre Kombëtareve, derisa të bëhet zgjedhja e përzgjedhësve të këtyre Kombëtareve,” ka vazhduar njoftimi i FFK-së.
Përndryshe, FFK pos këtyre - ende nuk ka caktuar as kush do të merr detyrën e ekipit senior kombëtar të Kosovës. Pas shumë aplikimeve të bëra nga selektor të ndryshëm dhe pas daljes së disa emrave të njohur në opinion për mundësinë e bërjes përzgjedhës i Kosovës, Ekipi A ende nuk ka selektor të përhershëm, derisa gjatë fundit të vitit të kaluar pas largimit të Bernard Challandes nga kjo pozitë, përkohshëm punoi slloveni Primoz Gliha.