KAMPANJA KUALIFIKUESE, MBYLLET ME ZHGËNJIM TOTAL!
Kosova mbyll kualifikimet, në pozitë të parafundit
21 November, 2023 @22:46
Gjendjen jo të mirë të Kosovës sonte e përmbylli Bjellorusia. Me një humbje minimale, Kosova nuk ka arritur të ruajë as pozitën e katërt në grupin kualifikues, ndërsa ka pësuar nga Bjellorusia për herë të dytë në grup, për tu mposhtur 0-1 dhe për të rënë në pozitë të parafundit, përfundimisht në Grupin I kualifikues për EURO 2024.
Përkundër dominimit në pjesë të parë, rasteve të Muslijës (39’, 40’) dhe Bytyqit (19’), Kosova nuk ka arritur të gjejë rrugën për te goli në fushën e rënduar të “Fadil Vokrrit”, ndërsa një dalje e Visar Bekajt për të grushtuar topin, ka mundësuar mysfarive që të marrin epërsinë në rastin e vetëm të tyre në pjesë të parë, që doli mjaft për fitoren e mysafirëve.
Dmitri Antilevskiy ka shutuar bukur topin e dëbuar nga Bekaj, për të shënuar për fitoren e Bjellorusisë 0-1. Këta, u bënë ekipi i vetëm që mposhti dy herë Kosovën në grup!
As zëvendësimet ofanzive në pjesë të dytë nuk kryen punë. Alban Ajdini regjistroi debutimin e tij sonte, në 7 minutat e fundit, ndërsa Muhamet Hyseni, Meriton Korenica e Altin Zeqiri nuk arritën të shfrytëzojnë rastin e dhënë nga selektori, për të dalë kokulur nga fusha në fund.
Me fitore, Bjellorsia e drejtuar nga trajneri që vjen nga shkolla e futbollit të Barcelonës, Carlos Alos, ka përfunduar grupin në pozitë të katërt, duke e rrëzuar Kosovën në të pestën!