NGA KONFERENCA PARA NDESHJES
Gliha shpreson në vazhdimin e serisë pozitive sot
21 November, 2023 @13:26
Selektori i Kosovës, Primoz Gliha, ka bërë të ditur në konferencën e djeshme për shtyp se Kosova nën drejtimin e tij pos humbjes nga Rumania ku luajtën me 10 lojtarë, ka pasur seri të mirë të rezultateve të nxjerra në kualifikuese sa është ai në këtë rol, ndërsa shpreson që e njëjta të vazhdojë edhe sonte, ndaj Bjellorusisë.
“Koncentrimi im është tek Bjellorusia, por nëse duhet të flasim për ndryshime atëherë absolutisht nuk ka asgjë që do të ndryshoja. Për mua gjërat janë të qarta, duhet t’i zbatojmë rregullat që janë. Për mua është e rëndësishme të luajë gjithmonë ai që është më i miri. Nuk kanë rëndësi emrat, por cilësitë e futbollistëve. Këtë e kemi dëshmuar edhe në ndeshjet që i kemi luajtur dhe kështu do të duhej të vazhdonim. Secila ndeshje e ekipit kombëtar është e rëndësishme, sepse ekipi kombëtar është ekip kombëtar, nuk është klub. Këtu nuk ka kalkulime. Askush nuk mund të kalkulojë me ekipin kombëtar”, u shpreh Gliha.
Nën drejtimin e sllovenit, Kosova ka dy barazime me Zvicrën dhe dy fitore, ndërsa është mposhtur nga Rumania. Kosova ka humbur gjasat për kualifikim në EURO, ndërsa aktualisht po luan me shumë mungesa nga ekipi standard, sa për shkak të lëndimeve, sa për shkak të sëmundjeve ashtu edhe për shkak se disa lojtarë nuk arritën të vinë në përballjen e parë dhe nuk u ftuan fare për duelet e fundit në këtë cikël.