SUPER-PORTUGALIA!
Perfeksioni portugez mbyll ditën e kualifikimeve
19 November, 2023 @23:58
Portugalia, kampione e Evropës në vitin 2016, me fitoren e sontme ndaj Islandës 2-0, që erdhi me golat e Bruno Fernandesit (37’) dhe Ricardo Hortas (66’) ka mbyllur në mënyrë perfekte ciklin kualifikues për në EURO 2024 dhe pritet të jetë ndër favoritet për ta fituar turneun më të madh të futbollit evropian të shteteve.
Të drejtuar nga spanjolli Roberto Martinez, Portugalia ka shënuar 10 fitore në 10 ndeshjet e tyre kualifikuese për në EURO 2024, duke e siguruar evropianin herët si dhe me pikë maksimale, 30.
Për karakteristikë, ata janë edhe ekipi i dytë më i mirë kualifikues në të gjitha grupet për kah golat e pranuara, pasi që kanë pranuar vetëm dy gola përgjatë gjithë ciklit kualifikues, të dyja nga Sllovakia dhe atë në muajin e kaluar. Ndërsa kanë shënuar plot 36 gola në grup, ndaj kundërshtarëve si Sllovakia, Luksemburgu, Islanda, Bosnja e Hercegovina dhe Lihtenshtajni.