KOSOVA
Kosova triumfon ndaj Bullgarisë
Teksti: FFK
9 April, 2022 @0:44
Kombëtarja e Kosovës në futsall e ka nisur në mënyrën më të mirë ciklin kualifikues për Kupën e Botës 2024.
Dardanët kanë shënuar fitore, të premten në mbrëmje, në Varna, në duel me Bullgarinë vendase, me rezultat 2:0.
Të përzgjedhurit e Arben Simitçiut patën paraqitje shumë të mirë dhe për asnjë moment nuk e vendosën në pikëpyetje çështjen e fitores. Kosova kaloi në epërsi në minutën e 17, me golin e Drilon Maxharrajt, derisa epërsinë në 2:0 e shtoi Meriton Salihu, në minutën e 27.
Fitorja e Dardanëve mund të rezultonte edhe më bindëse, sikur Drilon Maxharraj, të realizonte nga penalltia në minutën e fundit të ndeshjes. Sidoqoftë, kjo fitore ndaj nikoqirëve të turneut të rrethit të parë kualifikues e rrit entuziazmin e ekipit, i cili synon që në këto kualifikime të lë gjurmë.
Kosova ndeshjen e radhës në kuadër të Grupit C, e zhvillon më 9 prill kundër Armenisë, derisa në ndeshjen e tretë dhe të fundit përballet me Skocinë, më 11 prill.