REPREZENTUESET E REJA
Kosova U16 drejt Andorrës
Teksti: FBK
12 June, 2016 @19:25
Kosova U-16 në konkurrencën e femrave do të bëjë gara në kuadër të FIBA-s, më saktësisht në Kampionatin Evropian, Divizioni C, Grupi A, së bashku me Uellsin dhe Maltën. Kjo garë do të zhvillohet prej 18 deri më 23 korrik në Andorra.
Përzgjedhësi i Kosovës U-16 në konkurrencën e femrave, Fidan Shatri është shprehur i kënaqur me grupin e vajzave që i ka në dispozicion dhe ka thënë se me këto vajza synon që në Andorra të fitojnë përvojë dhe të lënë përshtypje të mira si Përfaqësuese nga një shtet i ri.
“Momentalisht në skuadër i kam 18 vajza të moshës 12, 13, 14 dhe 15 vjeçe. Bëhet fjalë për një grup të vajzave të reja që e duan basketbollin dhe që ju është dhënë rasti të luftojnë për një vend në Përfaqësuese të Kosovës të grupmoshës U-16. Unë si trajner jam me të vërtetë i kënaqur me punën që po e bëjnë vajzat, sepse ato premtojnë shumë. Kjo Përfaqësuese është baza e Përfaqësueses A pas disa viteve”, ka thënë Shatri, i cili me Prishtinën (femrat) javë më parë është stolisur me titullin e kampionit të Kosovës.
“Federata është shumë e interesuar të përkrah gjeneratat e reja dhe pikërisht për këtë arsye kanë vendosur që ta dërgojnë në gara zyrtare të FIBA-s këtë Përfaqësuese, sepse besojnë shumë në këto vajza dhe në të ardhmen e tyre. Ne tani e kemi për detyrë që në Andorra të luajmë basketboll cilësor dhe të arrijmë të shënojmë disa fitore, që do të ishin një motivim i madh për këto basketbolliste të reja”.
Përzgjedhësi Fidan Shatri, aktualisht trajner i skuadrës kampione në fuqi në konkurrencën e femrave, Prishtinës e ka përkrah edhe Arianit Morinën, trajner i grupmoshave të reja te Kosova e Vushtrrisë.