HEKURAN KRYEZIU
Kryeziu: Ishte vit i vështirë, sot fituam moral dhe vetëbesim
24 March, 2021 @23:23
Mesfushori i Kosovës, Hekuran Kryeziu, tha se fitorja e sotme e Kosovës përballë Lituanisë kishte rëndësi të veçantë për ekipin, në mënyrë që të harrohet viti 2020 që kaloi keq për dardanët.
“2020-shi ka qenë një vit shumë i vështirë për neve. Nuk i kemi plotësuar ato dëshirat që i kemi pasur në Ligën e Kombeve. Jemi grumbulluar kësaj here dhe kemi pasur disa takime të përbashkëta, ku kemi thënë se do të japim maksimumin ashtu sikur që ka qenë para 2 viteve. Shpresoj që do të jenë të gjithë lojtarët në dispozicion dhe të startojmë pozitiv në këtë kampanjë”, tha Kryeziu në deklaratën e tij pas ndeshjes.
Ai gjithashtu foli edhe për grupin e Kosovës në kualifikimet për Kampionatin Botëror, i cili sipas tij është grup shumë i vështirë.
“Jemi në një grup shumë të vështirë. Si Suedia, ashtu edhe Spanja janë dy kombëtare në TOP 10 për mua. Greqinë po ashtu e njohim pak a shumë nga kualifikimet e kaluara. Grupi është shumë i vështirë por ne do të japim maksimumin dhe kjo ndeshje e sotme ishte e rëndësishme për të fituar moral dhe vetëbesim pas një viti shumë të vështirë”, përfundoi ai.
Kosova sot e mposhti Lituaninë në miqësore me rezultat 4-0, me golat e shënuara nga Arbër Zeneli (x2), Vedat Muriqi dhe Besar Halimi.