NË LIPJAN

Labinot Ibrahimi rikthehet te Ulpiana
11 July, 2023 @15:23
Anësori me përvojë të madhe në Superligë dhe Superiore, Labinot Ibrahimi, i është kthyer ekipit të tij pas 14 vitesh. Ulpiana që garon në Ligë të Parë - Grupi B, ka bërë të ditur se ka arritur marrëveshje që Ibrahimi të rikthehet në ekip, ndërsa misioni i ekipit do të jetë - Superliga!
“Zyrtarisht futbollisti lipjanas Labinot Ibrahimi vishet bardh e kaltër, poashtu rikthehet në shtëpi ku e filloi karrierën, tashmë me një mision të përbashkët me klubin, për ngjitjen në Superligë. Labi rikthehet në Ulpianë pas katërmbëdhjetë vitesh, po prap me uri të madhe për të korrur suksese.” — ka shkruar KF Ulpiana në njoftim.
Skuadra e Ulpianës do të drejtohet edhe këtë stinor nga trajneri Emin Bajrami, ndërsa ekipi në stinorin e kaluar arriti barazhin, ku u eliminua nga Liria e Prizrenit. Këtë stinor, ata përsëri synojnë arritjen e Superligës, ndërsa në anën tjetër si kundërkanditat më favorit po paraqitet ekipi i Ferizajit.
Ibrahimi është 37-vjeç dhe me përvojën e tij mund të luajë në secilën pozitë në mbrojtje. Ai së fundi ka qenë pjesë e Feronikelit’74 me të cilët arriti Superligën. Më parë, luajti për Malishevën, Arbërinë dhe Prishtinën, ndërsa karrierën më të gjatë e bëri te Partizani i Tiranës.◼️