KOSOVA - ISLANDA
Loja e mirë vazhdon, rezultat nuk ka!
24 March, 2017 @22:45
Me humbje u mbyll edhe takimi i katërt me radhë për Kosovën në kualifikimet drejt Botërorit të Rusisë.
Një takim që filloi mjaft mirë dhe që dha shpresë për një rezultat pozitiv, ashtu si në shumicën e takimeve të zhvilluara në kuadër të eliminatoreve drejt Rusisë,u mbyll me disfatë falë një 10 minutëshi shpërqëndrim në mesin e pjesës së parë.
Një shpërqëndrim një mbrojtje në minutën e 25’ dhe një penallti e shkaktuar nga Kololli 10 minuta më vonë, bënë që Kosova ta gjente veten në disavantazh të dyfishtë, derisa pak para golit të Islandës, ishte Kosova që e kishte një nga rastet më të mira të ndeshjes, me mesfushorin Valon Berisha që e goditi shtyllën me një goditje nga distanca.
Në mes të dy golave të Islandës, një rast i dyshimtë për një penallti të dyshimtë në të mirë të Kosovës ndodhi, mirëpo gjyqtari nuk e mendoi atë që e kërkuan lojtarët e Kosovës dhe ndeshja vazhdoi.
Pjesa e dytë e Kosovës ishte shumë e mirë, me Atdhe Nuhiun që shënoi në debutimin e tij. Goli u shënua në minutën e 52’ dhe ishte i pari i Kosovës nga loja e hapur sa i përket garave ndërkombëtare. Pas golit, Kosova edhe më tutje e vazhdoi kërkimin e barazimit, mirëpo barazimi nuk erdhi në asnjë moment, pavarësisht zëvendësimeve ofansive nga Bunjaki, që inkuadroi Bersant Celinën, Bernard Berishën e Donis Avdijajn.
Pas 5 ndeshjeve, Kosova ka 4 humbje e 1 barazim dhe ndodhet në vendin e fundit të Grupit I.