MALISHEVA - BALLKANI

Malisheva befason Ballkanin, humbja e parë e Ilir Dajës
9 March, 2022 @15:05
Befasinë e ditës në Superligë sot e ka shkaktuar skuadra e Malishevës.
Skuadra që drejtohet nga Arsim Thaqi sot e mposhti 2-0 (Mërgim Pefqeli 41’, Arbër Pira 44’) Ballkanin e Suharekës, për t’ia shkaktuar këtij të fundit humbjen e parë në pranverë, humbje që vjen pas 5 fitoreve radhazi të Ballkanit këtë stinor pranveror dhe njëkohësisht humbjen e parë trajnerit Ilir Daja në futbollin kosovar.
Pjesë të parë fantastike te Malisheva sot zhvilloi Arbër Pira, i cili fillimisht asistoi te goli i Mërgim Pefqelit (41’) e më pas e shënoi vet golin e dytë (44’), pas asistimit nga Xhevdet Shabani, për ta çuar kështu Malishevën në pushim mes pjesëve me epërsi të dyfishtë.
Përkundër inkuadrimeve në fazën ofansive të Ballkanit, Malisheva u mbajt mirë dhe nuk pësoi as edhe një gol, për ta mbyllur kështu ndeshjen me fitore 2-0.
Kjo fitore dhe barazimi i sotëm mes Ulpianës e Dukagjinit ia shtojnë shpresat për mbijetesë Malishevës, kurse Ballkani do ta lëshojë kreun nëse Gjilani fiton ndaj Dritës nesër.
Xhiron që vjen, Malisheva i shkon Drenicës, kurse Ballkani luan në shtëpi ndaj Feroniklit.