Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

HAZROLLAJ PËRSËRI SHKËLQEN

Malisheva falë Hazrollajt, i bën ballë me 10 lojtarë Dukagjinit

Malisheva falë Hazrollajt, i bën ballë me 10 lojtarë Dukagjinit


6 April, 2024 @17:50

As kartoni i kuq i Agon Xhakës nuk i ka penguar Malishevës të luajë me një lojtarë më pak në fushë ndaj Dukagjinit, të sigurojë barazimin dhe fuqishëm të kërkojë fitoren.

Ka qenë superylli i Superligës, Drilon Hazrollaj, që thoshte fjalën kryesore në ndeshje, ndërsa pas barazimit, rastet e Malishevës nuk gjetën saktësinë finale e ndonjëherë edhe pasimin final të duhur, për të shkëputur të tre pikët nga klinasit, në ndeshjen që përfundoi: Malisheva - Dukagjini 1-1 [Drilon Hazrollaj 76’pen. - Altin Merlaku 53’].

Pjesa e parë me shumë raste për Malishevën, por një karton i verdhë i marrë për reagim ndaj referit (34’) dhe një tjetër të duhur për ndalje sulmi (41’) nga Agon Xhaka, bëri që Malisheva e Qëndrim Kidës të kontrollojë motorin e ekipit pak, pasi që ishin dhënë shumë duke kërkuar golin dhe tashmë shkonin në pushim me një lojtar më pak.

TABELA AKTUALE

Kështu me të nisur pjesa e dytë, Dukagjini i Armend Dallkut u tregua dinak dhe shfrytëzoi shpejt mundësinë për të avancuar përmes lojtarit më me përvojë të ekipit të tyre, Altin Merlaku.

Nuk ndërroi asgjë te Malisheva në lojë, sulmet vazhduan me plot shpejtësi ndërsa kanë qenë reagimet e Dallkut nga banka që ndërronte lojtarët me kartona të verdhë për të mos u ndëshkuar me të kuq, nga driblimet dhe depërtimet e malishevase, kryesisht me Hazrollajn në zonë.

Malisheva edhe fitoi penalltinë, Hazrollaj barazoi pa problem (76’), por më pas pati edhe disa raste të mira për të shkëputur tre pikë për ekipin e tij dhe për t’ia hapur rrugën drejt garave evropiane. Këtë me siguri e ka vërejtur edhe Franco Foda, që ishte në tribunat e “Liman Gegajt” sot!

Me pikët e ndara nga ndeshja, Malisheva ka 49 pikë nga 28 ndeshje dhe është e katërta në renditje. Ndërsa Dukagjini është i gjashti me 36 pikë nga po aq ndeshje. Në xhiron e radhës, Malisheva i shkon Fushë Kosovës, ndërsa Dukagjini pret Llapin.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga