EKSKLUZIVE

Me përforcimin e ri, Bashkimi synon finalen
12 January, 2015 @14:48
Bashkimi nuk ka të ndalur. Ekipi nga Prizreni ka siguruar shërbimet e një basketbollisti amerikan që pritet të shpërthejë me portokallezinjtë për shkak të cilësisë së tij.
Sipas menaxherit të skuadrës, Arlind Kaçaniku, me përforcimin e ri, Bashkimi do të tentojë të arrijë njërën nga finalen e garave në Superligë.
E ai është organizatori amerikan Tray Woodall që ka dalë nga kolegji i Pittsburghut në SHBA. Në ndërkohë ai ka qenë pjesë e ekipit të ligës elite turke, Istanbul Buyuksehir si dhe asaj Greqisë, Ikaros. Derisa së fundi ka luajtur disa ndeshje për ekipin meksikan Jefes.
Woodall ka pasur karrierë të jashtëzakonshme në kolegjin e Pittsburghut, ku ka arritur të hyjë në histori si njëri ndër basketbollistët që ka shënuar mbi 1000 pikë dhe ka bërë mbi 500 asistime - duke u futur në histori si njëri nga 7 basketbollistët e kolegjeve që ka arritur këto shifra.
“Kemi arritur marrëveshje me amerikanin Tray Woodall që pritet të na përforcojë shumë. Me përshtatjen e përforcimeve në ekip me kohë presim që të luajmë një finale këtë stinor, por pse jo edhe në të dyjat,” ka thënë Kaçaniku ekskluzivisht për Borozani.com.
Woodall është përforcimi i dytë i huaj dhe i treti në përgjithësi për skuadrën prizrenase, pas Muhamed Hasanit dhe Mujo Tuljkovicit.
Bashkimi ka përfunduar stinorin vjeshtor në pozitën e tretë të Superligës duke arritur bilanc prej 9 fitoreve dhe 5 humbjeve.
Stinorin që shkoi ekipi prizrenas ka qenë finalist i Kupës së Kosovës dhe Superkupës, ku të dyja ndeshjet i humbi nga Sigal Prishtina.
Video
Tray Woodall në akcion