DARDAN BERISHA
Më të shpejtë dhe më të motivuar
11 September, 2018 @22:23
Kapiteni i reprezentacionit të Kosovës në basketboll, Dardan Berisha, i cili së fundi i është kthyer Prishtinës pasi që stinorin e kaluar luajti për Nymburkun në Çeki, ka thënë se Kosova është më e motivuar dhe më e shpejtë sesa rivali i radhës, Maqedonia.
Në konferencën e sotme për shtyp, Dardan Berisha është dukur plotësisht i bindur në fitore të Kosovës ndaj Maqedonisë, në përballjen e parë të fazës së dytë kualifikuese për Eurobasket 2021, ndërsa ka theksuar se përvoja e madhe e trajnerit të ri të Kosovës ka sjellë freski në ekip dhe ka bërë punë shumë të mirë deri më tani.
“Stërvitjet i kemi filluar më 22 gusht së bashku me ndihmëstrajnerët, ndërsa trajneri na është bashkuar më 29 gusht dhe së fundi na janë bashkuar edhe Erjoni dhe Scotti, e kjo ka bërë që të krijojmë një atmosferë shumë të mirë para ndeshjes së të enjtes,” ka thënë Dardan Berisha.
Më tej ai ka vazhduar…
“Jemi përgatitur mjaft mirë, e dimë rëndësinë e ndeshjes, do të luajmë para publikut tonë dhe shpresojmë se palestra do të mbushet, sepse presim përkrahje shumë të madhe. Jemi shumë të motivuar, Maqedoninë e kemi mposhtur vitin e kaluar, andaj mund ta mposhtim prapë para shikuesve tanë.”
Në ndërkohë ka shtuar se ai ka besim të madh te bashkëlojtarët e skuadrës.
“Trajneri i ri është me ne, është një freski për ekip, ka bërë një punë shumë të mirë me ne. E dimë se çfarë ka qenë kur ka luajtur basketboll, dhe eksperiencën e tij na e ka përcjell neve.”
“Maqedonia ka disa ndryshime në ekip, por ne jemi një ekip i ri dhe definitivisht jemi më të shpejtë dhe më të motivuar. Do të jetë një ndeshje shumë e fortë me dy stile të ndryshme të lojës, por unë kam besim të madh tek të gjithë dhe jam shumë optimist për gjithë atë që do ta shfaqim në parket të enjten”.
Kosova pret Maqedoninë të enjten më 13 shtator 2018 në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë, në përballjen që nis prej orës 20:45.