NGA KONFERENCA
Menaxheri Shala kapet me gazetarin spanjoll, kërkon të përmendet emri i Kosovës
30 March, 2021 @18:30
Në konferencës e sotme për shtyp të organizuar nga përfaqësuesja e Kosovës, menaxheri i përfaqësueses së Kosovës, Bajram Shala, pati një konfrontim verbal me një gazetar spanjoll.
Gazetari i mediumit spanjoll “AS” u drejtua me pyetjen: “A mendoni se Enrique do të bëjë ndryshime ndaj ekipit tuaj”, ndërsa para se ta përkthejë këtë pyetje, menaxheri Shala iu drejtua gazetarit duke thënë se ndaj kujt i bëhet pyetja.
Gazetari u përgjigj duke thënë se “pyetja është për trajnerin”, ndërsa refuzoi të përmend edhe Kosovën në përgjigjen e tij.
Më pas menaxheri Shala insistoi duke kërkuar përsëri përgjigje të plotë nga gazetari.
“Për trajnerin e cilit ekip e keni pyetjen? Ne asnjëherë nuk e kemi parë emrin e përfaqësueses sonë në raportimet e gazetës suaj. Prandaj na thuani për trajnerin e cili ekip e keni pyetjen?” tha Shala.
Megjithëse gazetari spanjoll i “AS” nuk dha përgjigje të plotë në fillim, pas insistimit të Shalës për tri herë rresht, gazetari pranoi të thotë “pyetja është për trajnerin e Kosovës” dhe më pas u dha përgjigjja nga trajneri Challandes.