VJOSA EMËRON
Meriton Baftiu kryetrajner e Përparim Livoreka ndihmës, marrin timonin e Vjosës
16 April, 2024 @15:55
Pas ndarjes me trajnerin e dalluar Leotrim Krasniqi, skuadra e Vjosës nga Shtimja ka bërë të ditur se kujt i ka besuar ekipin për pjesën e mbetur të stinorit 2023/24.
KF Vjosa përmes njoftimit në llogarinë zyrtare të klubit në Facebook ka shkruar se deri në fund të këtij stinori ekipin do ta drejtojë Meriton Baftiu në rol të kryetrajnerit dhe Përparim Livoreka si ndihmës-trajner.
“Pas sukseseve në udhëheqjen e Juniorëve të KF.Vjosa në Superligën e Kosovës Junior, për pjesën e mbetur të kampionatit i besohet udhëheqja e ekipës së parë Meriton Baftiut dhe ndimës i tij Përparim Livoreka.” - ka shkruar njoftimi.
Vjosa përndryshe kishte kryer pjesën vjeshtore të këtij stinori si lidere në Ligën e Parë - Grupi B, ndërsa në xhiron e kaluar humbi hapin me kryesuesit Prishtina e Re dhe Ferizaji në luftë për Superligë.
Deri në fund të këtij stinori në Ligë të Parë kanë mbetur edhe pesë xhiro.