Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

VJOSA NË KËRKIM TË TRAJNERIT!

Vjosa ndërpret bashkëpunimin me trajnerin Leotrim Krasniqi

Vjosa ndërpret bashkëpunimin me trajnerin Leotrim Krasniqi


14 April, 2024 @14:04

Pas humbjes në derbi ndaj Prishtinës së Re të premten, KF Vjosa nga Shtimja ka bërë të ditur se ka ndarë rrugët me trajnerin Leotrim Krasniqi. Vjosa ka bërë të ditur se ka ndërprerë bashkëpunimin me marrëveshje të dyanshme, pasi që kanë konsideruar se ndarja është më së miri të bëhet në këtë moment.

Vjosa ishte në garë për Superligë, por humbja nga Prishtina e Re i la ata shtatë pikë nga vendi i parë pesë xhiro para fundit të stinorit dhe pesë pikë nga vendi i dytë që ka një ndeshje më pak të luajtur.

“KF Vjosa falenderon trajnerin Leotrim Krasniqi për kontributin e dhënë gjatë periudhës derisa drejtoi skuadrën tonë. Ai bashkë me stafin e tij arriti ta bëjë kampion vjeshtor ekipin në Ligën e Parë - Grupi B, për të cilën klubi e falenderon dhe i dëshiron sukses e shëndet në të ardhmen. Ditëve në vazhdim klubi do të vendos për trajnerin e ri,” ka shkruar KF Vjosa në njoftim.

Ndërkaq vetë Krasniqi që mori timonin e shtimjanëve 1.5 vjet më parë, ka falenderuar lojtarët, klubin dhe të tjerëve të lidhur me klubin.

“Po largohem me bindjen që kam dhënë gjithçka nga vetja dhe nuk kam kursyer asnjë ditë të punës, duke punuar ndershëm dhe pa hile. Si në aspektin njerëzor, ashtu edhe futbollistik shpresoj që kemi lënë diçka të mirë te klubi i Vjosës. Falemnderit të gjithë futbollistëve me të cilët kemi punuar në këto 1.5 vjet, kryesisë së klubit dhe të gjithë personave të lidhur me klubin, duke i dëshiruar sukses në vazhdim futbollistëve dhe KF Vjosa,” ka shkruar Krasniqi në shkrimin ndarës përmes llogarisë së tij në Facebook.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Liga e parë