Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

DERBI LOKAL, ME BARAZIM!

2 Korriku u ndalë nga Flamurtari!

Foto: 2korriku.com

2 Korriku u ndalë nga Flamurtari!


Teksti: 2korriku.com

6 April, 2024 @22:52

Në kuadër të javës së njëzetenjë, 2 Korriku është ndalur në shtëpi nga rivali i qytetit, Flamurtari. Nga një gol i shënuar në secilën pjesë, ka bërë që në fund pikët të ndahen mes kryeqytetasve, me rezultatin që nuk është se i konvenoi ndonjërës prej ekipeve.

Sulmuesi Ardit Gashi në minutën 40’ me gol nga afërsia dhe mesfushori Altin Bytyqi me gol të bukur në minutën 67’ nga brenda zonës së rreptësisë përmbyllën listën e golashënuesve, e cila mund të ishte shumë më e gjatë, sidomos për “verdheblutë” vendës, që sot shpërdoruan jashtëzakonisht shumë, si në fraksionin e parë, ashtu edhe në të dytin.

Dueli i sotëm mes rivalëve kryeqytetas, si rrallë-herë u përcoll nga një qetësi e madhe, kjo ndoshta e ndikuar edhe nga numri jo i madh i shikuesve, të cilët deri diku mund të thuhet se mbetën të kënaqur me aq sa panë, përjashto fragmente nga pjesa e parë, kur të dyja ekipet nuk tregonin thuajse asgjë, me topin që më shumë qëndronte në ajër.

Pozitive nga ndeshja e sotme është se kryetrajneri i “verdhebluve”, Besim Ademi iu dha mundësi disa prej futbollistëve të rinjë, pasi që me skuadrën nuk u paraqitën futbollistë si: Andi Oruqi (akumulim kartonësh), Agron Beqiri (akumulim kartonësh) dhe Gneilpekan Marius Camara (karton i kuq). Ideal Abdullahu e Olt Pllana u aktivizuan sot nga minuta e parë e patën paraqitje mjaft të mira, me të dy që kompletuan 90-minutëshin.

TABELA AKTUALE

Ekipi i drejtuar nga Besim Ademi sot shumë lehtë ka mundur që të dalë me pikë të plota e të shkoj në dy fitore radhazi, por rastet e lëshuara në pjesën e parë me Durakun, Gustavon e Gashin, dhe ato të pjesës së dytë me Hamidin, Durakun e Gashin sërish, iu kushtuan; në anën tjetër, Flamurtari shënoi nga një rast që nuk pritej rrezik serioz, por nga i cili shënoi për mrekulli Bytyqi, me këmbën e tij të djathtë, në këndin e majtë të portierit Ajeti.

Sa i përket portierit Ajeti, ashtu sikurse edhe homologu i tij nga ekipi “kuqezi”, pati një paraqitje mjaft të mirë, e ku vlen të përmendet reagimi fantastik në fillimin e pjesës së dytë, ku me sukses lexoi idenë e sulmuesit mysafir dhe e mbajti portën e patundur deri në ato momente të ndeshjes.

Thënë të drejtën sot 2 Korrikun e ndëshkoi ligji i pashkruar në futboll, se “kur nuk shënon, pëson”, e si rrjedhojë në fund u desh të pajtohet me një barazim, i cili lehtësisht mund të kthehej në humbje, sikur faza sulmuese e mysafirëve të tregohej më e shpejtë e më cinike, sidomos në pesëmbëdhjetë minutat e fundit, kur vendësit u sulën në sulm e lanë shumë hapësirë mbrapa.

Kjo pikë, ekipin nga Arbëria e mbanë në pozitën e gjashtë me njëzetetri pikë të fituara, me javën e ardhshme që sjell duelin e rëndësishëm në Vushtrri, kundër ekipit që mbanë po të njëjtin emër sikurse qyteti antik i Kosovës.

Raiffeisen Liga e Parë, Grupi ‘B’; Java e Njëzetnjë

FC 2 Korriku – KF Flamurari 1-1

Golashënues: Ardit Gashi 40′; -  Altin Bytyqi 67′

Gjyqtarët e ndeshjes: Ersen Janovali (Prishtinë), Meriton Berisha (Prishtinë), Argjend Berisha (Prishtinë), Tefik Maloku (Podujevë)

Delegat i ndeshjes: Kemajl Dumnica (Prishtinë)

Vëzhguesi i i gjyqtarëve: Petrit Hadri (Prishtinë)

Formacioni startues i 2 Korrikut: Arnis Ajeti, Granit Latifi, Abit Salihu, Jehon Stublla, Ideal Abdullahu, Shqiprim Kelmendi /kap./, Edon Zeçiri, Gustavo H. S. Faria, Ardit Gashi, Enes Duraku. Kryetrajner: Besim Ademi.

U inkuadruan edhe: Londrit Hamidi 65’, Ylli Prekopuca 72’, Miftar Avdiu 80’

Formacioni startues i Flamurtarit: Art Hoti, Brenner F. Moraes, Veton Kabashi, Lorik Rexhepi, Korab Hasanaj /kap./, Nderim Jashari, Altin Bytyqi, Shefki Aliti, Joao V. M. Borges, Çlirim Berisha, King Ëireko. Kryetrajner: Emir Rama.

U inkuadruan edhe: Gentris Leci 46’, Orges Sijarina 67’, Ermal Maqaj 82’, Redon Sadiku 90’+


 
Të gjitha lajmet nga FFK Liga e parë