PAS SULMIT NDAJ REFERIT!
Sulmi ndaj referit, FC Dinamo në disiplinore
3 April, 2024 @11:25
Skuadra e Dinamos që po drejtohet nga Bylbyl Sokoli është futur në procedurë disiplinore për shkak se një person i paautorizuar ka sulmuar referin e ndeshjes, Dinamo-Suhareka - ndeshje kjo derbi e Ligës së Parë - Grupi A.
Gjyqtari Ardit Halilaj u trajtua në emergjencë të spitalit të Ferizajit pas lëndimeve që mori, ndërsa KG i FFK-së, rastin e ka regjistruar dhe ka iniciuar procedurë disiplinore për këtë.
Në inicimin disiplinor ndaj ekipit ferizajas shkruan: ndaj: KF ”Dinamo”. Motivi: Lëshim në organizimin e ndeshjes. Pas përfundimit të ndeshjes së xhiros së 20-të të Raiffeisen Ligës së Parë – Grupi A, Dinamo- Suhareka, derisa personat zyrtar nën përcjellje të policisë po shkonin në zhveshtore, në hyrje të tunelit një person i paautorizuar sulmon me grushta gjyqtarin kryesor të ndeshjes duke i shkaktuar lëndime trupore, për çka është detyruar të shkojë në emergjencë për trajtim mjekësor. Sipas raportit të gjyqëtarit kryesor dhe protokolit zyrytar të ndeshjes Dinamo-Suhareka.
Përndryshe, Dinamoja u mposht nga Suhareka në këtë ndeshje, përkundër se kishte epërsinë 1-0! Me fitore 1-2, Suhareka mori lidershipin e Ligës së Parë - Grupi A dhe tashmë në dorë të veten ka rrugëtimin drejt Superligës.
Pas ndeshjes, Dinamoja botoi dy video ku pretendon për gabimet e gjyqtarit gjatë ndeshjes.