FITORE E VERDHEKALTËRVE
Ardit Gashi vendos, 2 Korriku arrin qëllimin në Hogosht
Teksti: 2korriku.com
31 March, 2024 @23:50
E diela e sotme, nga ora 15:00 ka rezervuar duelin e tretë kampional për këtë edicion në mes Kikës nga Hogoshti e 2 Korrikut nga Prishtina.
I caktuar për t’u zhvilluar në fushën e re të skuadrës “hogoshtase”, takimi i xhiros së njëzet të Raiffeisen Ligës së Parë, mblodhi qindra shikues, kjo për faktin se Kika u rikthye të luaj në shtëpinë e saj pas disa vitesh.
Ndonëse si mysafirë në një terren të “nxehtë”, “verdheblutë” e trajnerit Besim Ademi e arritën qëllimin për të cilin shkuan në këtë takim – fitimin e tri pikëve të reja.
Vendimtar doli të jetë goli i Ardit Gashit (43’), i cili konkretizoi penalltinë e fituar pas prekjes me dorë nga mbrojtësi Blend Jakupi një minut më parë. Kika - 2 Korriki 0-1 [Ardit Gashi 43’pen.]. Epërsia në fakt ishte e merituar, për faktin se 2 Korriku përgjatë tërë pjesës së parë pati iniciativën, rrezikoi me Gashin në minutën 4’ e me Gustavon në minutën 14’, ani se goditjet nuk qenë shumë të rrezikshme.
Pjesa e dytë ishte më e mirë për Kikën, ndërsa mysafirët kërkuan mbrojtjen e rezultatit, ani pse punët u vështirësuan jashtëzakonisht shumë pas minutës 55’, kur mesfushori Camara u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë nga gjyqtari Rrezart Hasani – ndarje e drejtësisë në mënyrë mjaft të mirë nga ana e tij. Largimi i Camaras, shto këtu zëvendësimin e detyrueshëm të kapitenit Andi Oruqi, që nuk mundi të vazhdoi ndeshjen në pjesën e dytë, bën që 2 Korriku të tërhiqet edhe më mbrapa e sulmin ta bëj me anë të kundërsulmeve, me sulmues të shpejtë si Gustavo e Enes Duraku, i inkuadruar në fillimin e fraksionit të dytë të lojës.
Në anën tjetër, Kika e vendosur për ta barazuar rezultatin, u hodh me të gjitha forcat përpara, por konkretizimi ishte shumë i dobët, shto këtu edhe paraqitjen fenomenale të portierit Neziri, i cili vetëm në dhjetë minutat e fundit të ndeshjes, me pritjet e tij, u bë “hero” i skuadrës së tij, duke bërë që porta të mbetet e paprekur. Rastin më të mirë Kika e pati me Ramadanin në minutën 83’, por goditja e tij jo shumë e fortë u ndalë nga Neziri.
Ndonëse me një lojtar më pak, “verdheblutë” patën mundësi që ta mbyllin ndeshjen më herët, por depërtimet dhe pasimet e rrezikshme të Gustavos nuk u shfrytëzuan si duhet dhe skuadrës iu desh që të “duroj” deri në vërsëllimën e fundit të gjyqtarit kryesor.
Kjo fitore, ekipit nga Arbëria i jep siguri të madhe për vazhdimin e kampionatit, me tashmë 22 pikë të fituara, kurse humbja e lë Kikën në fundin e renditjes, me vetëm 13 pikë të fituara.
- - -
Raiffeisen Liga e Parë, Grupi ‘B’; Java e Njëzet
KF Kika – FC 2 Korriku 0:1
Gjyqtarët e ndeshjes: Rrezart Hasani (Prishtinë),Imran Kabashi (Mitrovicë), Ilir Peci (Mitrovicë), Taulant Haxhimustafa (Rahovec)
Delegat i ndeshjes: Ismajl Rashiti (Gjilan)
Vëzhguesi i i gjyqtarëve: Safet Berisha (Mitrovicë)
Formacioni startues i Kikës: Emre Sulejmani, Blerti Rashiti, Francisco Talison, Uvejs Bunjaku, Blend Jakupi, Benet Spahiu, Gentian Binishi, Arlind Fejzullahi, Besfort Emini, Musli Imeri, Art Ramadani. Kryetrajner: Mergim Kastrati.
U inkuadruan edhe: Andrey Da Silva 46’, Fatlum Leka 65’, Arlind Sherifi 80’, Erion Demolli 80’
Formacioni startues i 2 Korrikut: Flamur Neziri, Granit Latifi, Abit Salihu, Agron Beqiri, Jehon Stublla, Andi Oruqi /kap./, Gneilepkan Marius Camara, Shqiprim Kelmendi, Aurel Limani, Ardit Gashi, Gustavo H. S. Faria. Kryetrajner: Besim Ademi.
U inkuadruan edhe: Enes Duraku 46’, Ideal Abdullahu 46’, Olt Pllana 65’, Londrit Hamidi 80’, Milot Hyseni 83’