Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

TRAJNERI I KATËRT KËTË STINOR!!!

Largohet Sejdiu, Drenica rikthen Jasharin

Foto: KFDrenica/ fb

Largohet Sejdiu, Drenica rikthen Jasharin


1 April, 2024 @17:32

Pas pak orës 03:00 të mëngjesit të sotëm, të së hënës, përmes një statusi në Facebook, Gani Sejdiu bëri të ditur se ka ndarë rrugët me KF Drenicën, drejtimin e së cilës e mori në fillim të shkurtit.

Në kohë të syfyrit, pak veta panë statusin e Sejdiut që tashmë kishte vendosur të ndajë rrugët me ekipin kuqezi nga Skenderaji, pas barazimit pa gola të regjistruar ndaj Phoenixit në fundjavën që e lamë pas.

Sidoqoftë, pas mesditës KF Drenica doli me njoftim duke bërë të ditur se Bordi i klubit unanimisht ka vendosur të ndërprejë bashkëpunimin me Gani Sejdiun. Në të njëjtin njoftim, bëri të ditur se ka emëruar Afrim Jasharin trajner të klubit deri në fund të këtij stinori.

“KF Drenica njofton opinion se Bordi ka vendosur unanimisht të ndërprejë bashkëpunimin me trajnerin Gani Sejdiu, duke analizuar rezultatet në përgjithësi dhe ndeshjen e fundit ndaj Phoenixit në veçanti. Pas kësaj, drejtuesit e klubit kanë arritur marrëveshje me trajnerin Afrim Jashari, që do të jetë shef i shtabit teknik deri në fund të stinorit,” ka bërë të ditur KF Drenica sot.

TABELA AKTUALE

Mitrovicasi Sejdiu ndërkaq, në statusin e hershëm të publikuar në Facebook bëri të ditur se nuk ka koment shtesë, veçse njofon se nuk është pjesë e klubit.

“Shfrytëzoj rastin t’ju bëj me dije se nga sot nuk jam pjesë e KF Drenicës, për çka nuk kam koment të veçant, pos t’i uroj klubit suksese në rrugë të saj. Por, një gjë dua të them se koha është gjithmonë ajo që na jep përgjigjet e duhura secilit për veprimet dhe vendimet që i marrim. Kjo është e sigurt. Megjithatë ishte kënaqësi për aq kohë sa bashkëpunuam,” shkroi Sejdiu.

Drenica përndryshe është e katërta në renditje të Ligës së Parë - Grupi A, me 27 pikë. Deri në fund të stinorit kanë mbetur edhe 7 xhiro. Sedjiu kishte marrë detyrën në xhiron e 16. me ekipin dhe vetëm pas 4 ndeshjesh të drejtuara u nda!

Kujtojmë gjatë prezantimit të Sejdiut në shkurt, Drenica bëri të ditur se ka nënshkruar kontratë 1.5 vjeçare me trajnerin në fjalë. Ndërsa rezultatet që arriti Gani Sejdiu prej se mori timonin e Drenicës nga shkurti i këtij viti janë: 1 fitore, 4 barazime dhe 1 humbje në Grupin A të Ligës së Parë.

Tash e tutje, ekipi është në dorë të Afrim Jasharit - të rikthyer pas shumë kohësh në klub, kurse për Drenicën ky është trajneri i katërt që merr timonin e skuadrës përgjatë edicionit 2023/24 pasi që e nisën me Sunaj Keçin, e vazhduan me Bashkim Idrizin dhe për pak kohë kaluan edhe me Sejdiun. Ndërsa Jashari do të jetë ai që do ta mbyllë stinorin me kuqezinjtë.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Liga e parë