RIKTHEHET NË KOSOVË
Mirel Josa, trajner i ri i Vëllaznimit
16 January, 2025 @15:11
Gjashtëdhjetë e një vjeçari, Mirel Josa, i është rikthyer futbollit të Kosovës. Pas aventurës që kishte me Prishtinën vite më parë, tiranasi është emëruar edhe zyrtarisht sot si trajner i ri i Vëllaznimit, që garon në Ligë të Parë - Grupi A dhe mëton ta arrijë Superligën këtë stinor.
Josa është emëruar shef i shtabit teknik të kuqezinjëve, ndërsa prej sot ka nisur punën për ta përgatitur ekipin për pjesën pranverore të stinorit.
“Me kënaqësi ju njoftojmë që KF Vëllaznimi ka arritur marrëveshje me Trajnerin e mirënjohur Mirel Josa.
Josa nga sot e ka filluar detyren e shefit të shtabit teknik në klubin Kuqezi dhe përgatitjet për sezonën pranverore.
Mirel Josa një emër i njohur në futbollin mbarëshqiptar, me një përvojë të jashtëzakonshme dhe një vizion të qartë për të vazhduar me KF Vëllaznimin.
Mirel Josa: 5x Kampion i Shqipërisë; 2x Fitues i Kupës së Shqipërisë; 2x Fitues i Superkupës së Shqipërisë; 1x Fitues i Kupës së Kosovës. Klubet e mëparshme: KF Tirana, FC Skënderbeu, KF Vllaznia dhe FC Prishtina,” ka shkruar njoftimi i KF Vëllaznimit.
Vëllaznimi përndryshe nisi stinorin me trajnerin Leotrim Krasniqi. Vjeshtën e kreu në pozitë të dytë të renditjes tabelare me vetëm katër pikë më pak sesa Drenica lidere. Kujtojmë, fituesi i Grupit A të Ligës së Parë siguron biletën për Superligë, ndërkaq ekipi që përfundon në pozitë të dytë do të duhet të luajë dy ndeshje barazhi, t’i fitojë ato, dhe të bëhet pjesë e Superligës në stinorin 2025/26.