Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

STAR OF THE GAMEWEEK XIII

Muhamet Hyseni (Llapi) - Ylli i javës (13)

Foto: FFK

Muhamet Hyseni (Llapi) - Ylli i javës (13)


Teksti: FFK

6 November, 2023 @11:52

Federata e Futbollit e Kosovës dhe sponsori i Superligës, Albi Mall vazhdojnë ndarjen e çmimit “Ylli i Javës”. Ky çmim për javën e 13-të në Albi Mall Superligë i ka takuar futbollistit të K.F. Llapi, Muhamet Hyseni.
Vlerësimi i më të mirit të javës është bërë nga Komisioni i veteranëve të futbollit, në përbërje: Fatmir Mehmeti, Lulzim Rrmoku, Agim Xhakolli.

Ky komision vendosi për qendërsulmuesin llapjan, pasi ai shënoi dy gola në derbin kundër Prishtinës dhe u shfaq i rrezikshëm për portën e bardhekaltërve të kryeqytetit gjatë tërë ndeshjes. Hyseni realizoi në minutat 54-t dhe 67-të, duke e përmbysur rezultatin, por golat e tij nuk i mjaftuan Llapit t’i gëzohet fitores, pasi Prishtina barazoi shifrat në minutën e 77-të.

Çmimin “Ylli i Javës” për futbollistin e KF Llapi, Muhamet Hyseni e ndau Elton Rexhepi, dizajner grafik në Albi Mall.
Pasi mori këtë çmim qendërsulmuesi i llapjanëve u shpreh i lumtur për vlerësimin dhe paraqitjen e mirë në derbi, teksa nuk e fshehu zhgënjimin që skuadra e tij nuk ia doli t’i gëzohet fitores në “Fadil Vokrri”, pasi pothuajse gjatë tërë pjesës së dytë kishte epërsi numerike në fushë pas përjashtimit të Useinit me karton të kuq.

”Është një ndjenjë shumë e mirë dhe privilegj për mua, pasi është hera e dytë që shpallem më i miri i javës. E falënderoj ekipin e Llapit, bashkëlojtarët dhe gjithë stafin për mbështetjen dhe që më motivojnë të vazhdoj të rritem edhe më shumë. Kemi qenë një pjesë të madhe të ndeshjes në epërsi numerike në fushë dhe ishim në epërsi në rezultat, por nga një pakujdesi pësuam gol dhe fatkeqësisht e mbyllëm ndeshjen në barazim. I kemi pasur disa rezultate jo të mira, disa barazime, por besoj se shumë shpejt do të vijmë te fitorja sepse ‘Legjendat’ e meritojnë për mbështetjen që na japin në çdo ndeshje”, ka theksuar Hyseni për faqen zyrtare të FFK-së.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga